Njohësi i çështjeve të Ballkanit, Anton Panqev sheh rrezik për një përsëritje të një agresioni të shtetit të Serbisë ndaj Kosovës, ngjashëm me atë të Banjskës ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku. Megjithatë, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike në botë thotë se nuk sheh rrezik në një të ardhme të afërt.
Sipas tij, situata e sigurisë në Kosovë varet shumë edhe nga agresioni rus në Ukrainë, ku siç thotë ai, një përshkallëzim i Rusisë do të ndikonte edhe në përshkallëzime nga ana e Serbisë.
Kritika ka për presidentin serb, për të cilin thotë se luan lojë të dyfishtë, duke e shfrytëzuar Bashkimin Evropian vetëm për t’ia marrë investimet.
Në intervistën për Kp, albanologu bullgar kritikon edhe Bashkimin Evropian për qasje të butë ndaj Serbisë, derisa shton se “në rastin e Kosovës ka lojëra të brendshme politike në disa vende të BE-së”.
Panqev: Nëse Rusia përshkallëzon agresionin ndaj Ukrainës, njëjtë mund të pritet nga Serbia
“Gjithmonë është i pranishëm rreziku, që të përsëritet një sulm i tillë ose me përmasa edhe më të mëdha, sepse Serbia ka një politikë shumë diversive, jo vetëm ndaj Kosovës por edhe ndaj Bosnjës, Malit të Zi, në rajonin e Ballkanit perëndimor në përgjithësi. Gjithmonë mund të priten aksionet të tilla sepse në veri të Kosovës ende veprojnë grupe ekstremiste, që nuk hezitojnë të përdorin armë, madje edhe kundër serbëve që pajtohen me shtetin e Kosovës që janë të gatshëm të jetojnë dhe punojnë në institucionet e Kosovës. Këtu duhet të themi se shumë varet nga situata në Ukrainë, për fat të keq Rusia është në një pozitë më të favorshme sesa Ukraina sa i përket luftës, gjendja e ushtrisë ukrainase nuk është e mirë tani për tani dhe nëse Rusia do të përshkallëzojë agresionin e saj ndaj Ukrainës mund të presim përshkallëzime të tilla edhe nga ana e Serbisë”, thotë Panqev.
Megjithatë shprehet optimist se në një të ardhme të afërt nuk do të ketë eskalim të situatës në veri të Kosovës.
Panqev: Megjithatë, nuk shoh rrezik në një të ardhme të afërt
“Unë mendoj se javët në vijim dhe muajt në vijim nuk do të ketë ndonjë rrezik të shtuar nga ana e Serbisë, sepse së pari Vuiçiq duhet të riorganizojë institucionet e Serbisë sipas rezultateve të zgjedhjeve, pastaj ende nuk dihet si do të zhvillohet situata në Ukrainë në muajt në vijim, por sipas meje, ndoshta në pranverë ose verës ku do të shihet ku do të shkojnë zgjedhjet edhe në SHBA, pastaj në fillim të qershorit i kemi zgjedhjet për Parlamentin Evropian, ku shumë shtete të rëndësishme si Franca, Gjermania mund të përfitojnë shumë mandate, forcat që janë një marrëveshje me Rusinë që kanë një skepticizëm më të madh për zgjerimin e BE-së për bashkëpunimin e saj me shtetet e Ballkanit perëndimor. Sipas meje, jo vetëm Serbia, por edhe shumë shtete të tjera do të presin këto zhvillime në PE dhe SHBA, ndoshta në verë do të bëhet më e qartë kush do të zgjidhet presidenti i SHBA-së, sinjale të qarta besojmë se do të ketë, dhe po pritet në këto zhvillime në të gjithë akterët më seriozë në politikën evropiane, por edhe në politiken botërore… Por edhe në rastin e Kosovës kemi shumë lojëra të tilla të brendshme politike në disa vende të BE-së”, vijon ai.
Derisa kritik është për Bashkimin Evropian, Panqev kritikon edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Sipas tij, loja e BE-së për të ndarë “fajin” mes Prishtinës dhe Beogradit është e padrejtë, kur dihet mirë se kush është agresori.
Panqev: Vuçiq luan lojë të dyfshitë, e përdorë BE-në vetëm për investime
“Unë jam kritik i Bashkimit Evropian, atje zyrtarët në Bruksel nuk kanë një qasje adekuate ndaj rajonit të Ballkanit, edhe nga ana e Greqisë krejtësisht e padrejtë qasja ndaj Shqipërisë, pastaj kemi jostabilitetin e Bosnjës, ku shumë shpesh atje presidenti i Republikës Srbska, Dodik deklaron që ‘mos të shpërbëhet’, do të bëjnë Serbinë e madhe e kështu me radhë. Edhe Kosovën, natyrisht, Bashkimi Evropian ndoshta bënë përpjekje që të luajë mes Prishtinës dhe Beogradit, pra bëjnë përpjekje që të ndajnë fajin mes Beogradit dhe Prishtinës që nuk është fare e drejtë, sepse Serbia qëndron prapa këtyre aksioneve destabilizuese. Para këtyre veprimeve agresive Bashkimi Evropian thjesht atje në Bruksel nuk vepron në mënyrën e duhur. Unë shpesh kam thënë se ata vazhdojnë me shpresat e vjetra që mund të bashkojnë tërë Ballkanin në Bashkimin Evropian, përmes lëshimeve që i bëjnë Serbisë që nuk është e mundshme për shkak të elitës serbe. Presidenti Vuçiq thjesht luajn një lojë të dyfishtë, dhe Bashkimin Evropian e përdorin vetëm për investime, lojërat e tyre dhe nuk mund të ketë një reciprocitet mes Kosovës dhe Serbisë sepse faji është në Beograd”, thotë Panqev.