Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Serbia thërret takim të posaçëm të Komitetit të përbashkët të CEFTA-s, presin heqje të masës nga Kosova

 
   

Pas takimit të mbajtur në Berlin ditë më parë në kuadër të Procesit të Berlinit, ministri i Tregtisë së Serbisë, Tomislav Momiroviq, ka bërë të ditur se kanë thirrur një takim të veçantë të Komitetit të përbashkët të CEFTA-s në Beograd, më datën 9 tetor.

Momiroviq ka thënë se ka optimizëm dhe se presin që të zhbllokohet vendimmarrja në CEFTA.

“Serbia, si kryesuese e Marrëveshjes CEFTA, ka thirrur një takim të posaçëm të komitetit të Përbashkët të CEFTA-s dhe në agjendë do të jetë miratimi i vendimeve të dakorduara të CEFTA-s. Në këtë moment, një protokoll shtesë, 10 vendime dhe një rekomandim janë në pritje të miratimit”, ka thënë Momiroviq, raportojn mediat serbe.

Ai ka theksuar se në rast të miratimit të këtyre vendimet, do të ketë një qarkullim të mallrave dhe shërbimeve në rritje në përputhje me kornizën e CEFTA-s.

“Është një interes i përbashkët i të gjitha palëve të CEFTA-s, sepse do të hiqte bllokimin e miratimit të vendimeve të reja në CEFTA, që ishte iniciuar nga Kosova më shumë se tre vjet më parë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në këtë mënyrë do të hiqej edhe atë që e ka cilësuar “bllokadë e paligjshme e tregtisë” që Republika e Kosovës e ka vendosur ndaj mallrave serbe për shkak të aspekteve që lidhen me sigurinë pas sulmit terrorist të Banjskës.

 “Kjo do të lehtësonte pjesërisht pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë, por edhe do të tregonte se është e mundur të de-përshkallëzohen marrëdhëniet me shqiptarët”, ka thënë Momiroviq.

Gjermania i ka kërkuar Kosovës që të pranojë ofertën e Berlinit zyrtar për zëvëndësimin e UNMIK-ut dhe heqjen e masave kufitare për mallrat serbe. Emisari special gjerman, Manuel Sarrazin, ka deklaruar se në rast se Kosova s’do të pranojë ofertën gjermane, shtetet e tjera do të vazhdojnë edhe pa Kosovën.