Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Serbia ‘trazohet’ nga detajet e reja të Grenellit për marrëveshjen Thaçi-Vuçiq – kërkohet dëshmi nga presidenti

 
   

Richard Grenell është përfshirë në një polemikë ditore në Serbi të premten, në një reagim ndaj pretendimeve të një deputeteje serbe për kinse një marrëveshje mes ish-presidentit Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiqit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Ish emisari i ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi ka thënë se anëtarja e Komisionit për Kontrollin mbi Institucionet e Sigurisë dhe deputetja e Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP) Marinika Tepiq “nuk e di çka flet”.

Tepiq kërkoi sot që Richard Grenell dhe presidenti Vuçiq, të ftohen para Komisionit për shkak të intervistës së fundit të Grenellit me djalin e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump Jr.

Ajo pretendon se Grenell ka deklaruar në intervistë se ai, Trump, Vuçiq dhe Thaçi kishin arritur më parë një marrëveshje historike që përfshinte shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“A nuk mendoni se do të ishte mirë që ne ta dinim dhe Serbia ta dinte nëse kjo është e vërtetë apo zoti Grenell po përhap informacione të rreme për Aleksandar Vuçiqin? Le të na thotë mirë Grenell nëse është e vërtetë që Vuçiq ka bërë marrëveshje historike për të shfuqizuar Gjykatën e UÇK-së për krime kundër serbëve? Thirrni edhe presidentin e Serbisë – e kam regjistrimin, mund ta lëshojmë, është një intervistë në një platformë publike amerikane, kështu që edhe në rast se ai shmang të vijë e të na përgjigjet, ndoshta të paktën do t’u përgjigjet gazetarëve”, tha Tepiq.

Ndërkaq, Grenell ka reaguar në rrjetet sociale. Ka thënë se Tepiq “nuk e di për çka po flet.”

“Kjo grua nuk e di se për çfarë po flet. Ajo nuk ishte e përfshirë fare. Ajo po nxjerr konkludime të shpejta pasi dëgjoi një intervistë”, ka thënë ai.

Grenell tha se ideja ishte që Kosova dhe Serbia t’i hetonin krimet e dyshuara të luftës veç e veç secila – jo përmes një gjykate ndërkombëtare jashtë vendeve të tyre.