Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit Perëndimor, Daniel Serwer, ka risjellur në vëmendje sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, duke përmendur edhe faktin që rezultatet e paralajmëruara të hetimeve ende nuk janë publikuar.
Serwer ka thënë se ky është nga ato momentet kur ajo që nuk thuhet është më e rëndësishme se ajo që thuhet, duke kritikuar amerikanët dhe evropianët që s’po i publikojnë rezultatet e hetimeve.
“Ky është një nga ato momente në Ballkan kur ajo që nuk thuhet është më e rëndësishme se ajo që thuhet. Amerikanët dhe evropianët deri më tani nuk kanë arritur të publikojnë rezultatet e hetimeve të tyre të paralajmëruara për kryengritjen e dështuar serbe të 24 shtatorit në veri të Kosovës”.
“Me atë rast, Serbia dërgoi një grup të armatosur mirë në pritë ndaj Policisë së Kosovës, duke vrarë një oficer. Serbët gjithashtu u përpoqën të tërheqin policinë në një përleshje zjarri në një kompleks manastiri. Autorët synonin që ky incident të jepte një justifikim për ndërhyrjen ushtarake serbe. Me sa duket qëllimi ishte kapja e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës”, ka shkruar ai në Peacefare.
Serwer më tej ka thënë se nuk asnjë dyshim për atë që ka ndodhur dhe pse, por ka shtuar se pyetja e vetme e vërtetë është se kush e ka autorizuar këtë komplot terrorist.
“Ishte presidenti serb Vuçiq ose jo. Nuk kam asnjë provë për këtë çështje. Por, ne e dimë se Vuçiq zakonisht i merr të gjitha vendimet e rëndësishme në Beograd”.
Serwer po ashtu ka thënë se që nga “komploti i dështuar” në Banjskë, Vuçiq iu është bashkuar forcave antidemokratike në rajon, duke takuar Dodikun, Orbanin, Lukashenkon, Aliyevin e Azerbejxhanit, dhe autokratët Putin e Xi.
“Ai gjithashtu synon të ndjekë shembullin e Aliyev për të rikthyer Nagorno-Karabakun me forcë. Kur ta lejojnë rrethanat gjeopolitike, ai do të bëjë të njëjtën gjë me Kosovën”.
Tutje, profesori amerikan ka folur për arsyet se pse po heshtet për këto veprime të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Këtu ka përmendur zgjedhjet që pritet të mbahen në Serbi, unitetin që kërkohet në Bashkimin Evropian për të marrë qëndrim ndaj një çështje dhe përpjekjen e Uashingtonit për ta drejtuar Serbinë kah Perëndimi.
“Disa diplomatë do t’ia atribuojnë heshtjen preokupimit në Uashington dhe Bruksel me luftën në Gaza. Kjo sigurisht meriton prioritet dhe ngadalëson vendimet e nivelit të lartë për çështje të tjera. Por, Departamenti i Shtetit dhe aparati i politikës së jashtme të BE-së merren me problemet në mbarë botën, jo vetëm çështjet kryesore të sotme”.
“Me shumë gjasa ata kanë hezituar për shkak të zgjedhjeve parlamentare serbe këtë të dielë, të cilat nuk do të sjellin surpriza të mëdha. Presidenti Vuçiq nuk do të kishte thirrur zgjedhje të hershme nëse do të mendonte se do t’i humbiste ato. Ka prova të shumta se ai po përdor dominimin e qeverisë në media, institucionet shtetërore, patronazhin dhe madhështinë për të siguruar një rezultat miqësor. Por, askush në Uashington apo Bruksel në këtë pikë nuk duhet të dëshirojë ta ndihmojë atë”, ka shkruar më tej ai.
“BE-ja ka një tjetër pengesë. Kërkon konsensus për çdo reagim serioz. Shumica e vendeve anëtare të saj mund të jenë gati të bëjnë diçka. Por, Hungaria dhe ndoshta tani Sllovakia do të jenë të përgatitura për të bllokuar konsensusin mbi sanksionet ndaj Serbisë”.
“Mund të shpresoj gjithashtu që Departamenti i Shtetit po rivlerëson politikën e tij në Ballkan dhe ka nevojë për pak më shumë kohë për ta bërë atë siç duhet. Ajo ka zyrtarë të përkushtuar ndaj nocionit se ai ia ka dalë që ta bëjë Serbinë të përqafojë Perëndimin. Ndonjëherë është më e lehtë në shtet të ndryshosh personelin sesa mendjen, por kërkon kohë”.