Eksperti i sigurisë, Adrian Shtuni, është shprehur se Bosnjë-Hercegovina është hallka më e dobët e rajonit dhe që mbart rrezikun më të madh për destabilizim.
Komentet Shtuni i bëri në një lidhje për Euronews Albania, ku tha se ky shtet është më i rrezikuar dhe më i ndikuar nga Serbia dhe Rusia edhe se Kosova.
Ai tha gjithashtu se Bosnja është një vend disfunksional, ku kreu i republikës Srpska po bën gjithçka për ndarjen e këtij vendi.
“Rreziku për destabilizim në aspektin e sigurisë në Ballkan është më i madh në Bosnjë sesa në Kosovë. Hallka më e dobët, sepse influenca ruse atje është më e lartë, ndikimi i Serbisë me një komponent si Republika Srpska dhe Dodik është shumë më i madh sesa në Kozovë apo në Malin e Zi.
Është vetë situata e Bosnjës që ecën me paterica prej një kohe të gjatë, një vend disfunksional. Dodik mishëron 3 të këqijat kardinale në Ballkan, ultranacionalizmin separatist, korrupsionin kapilar dhe politikën e shantazhit. Pikërisht për këtë është sanksionuar nga SHBA dhe Britania.
Në fund të tetorit të vitit të kaluar, Departamenti i Thesarit në SHBA i sanksionoi edhye fëmijët Dodikut. Ai ka qëllim të shprehur dobësimin e Bosnjës deri në pikën e kolapsit që do të mundësonte ndarjen e Bosnjës dhe bashkimin e republikës Srpska me Serbinë”, tha Shtuni.