Asociacioni i Komunave të Kosovës (ASK) e cilëson si problem çështjen e shpërndarjes së teksteve shkollore, duke theksuar se janë rreth shtatë komuna që nuk kanë librari në qytetin e tyre.
Klina, Hani i Elezit dhe Kaçaniku janë ndër komunat që kanë mungesë të librarive, për çka shprehen se po vështirësohet mjaftë shumë fillimi i vitit të ri shkollor.
Ndërkaq, nga drejtoria e Podujevës, e shohin si të politizuar diskutimin e temës rreth rimbursimit të mjeteve për libra nga Kolegjiumi për Arsim.
Të hënën, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci bëri me dije se janë duke e shqyrtuar mundësinë e rimburimit të parave tek prindërit në mënyrë që ata t’i blejnë pastaj tekstet shkollore për fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor.
Në mbledhjen e mbajtur nga Asociacioni i Komunave dhe Kolegjiumi për Arsim, kryesuesja e këtij të fundit, Besianë Musmurati u shpreh se në këto kushte është e pamundur që mësimi të fillojë me një shtator, duke potencuar problemin me mungesën e librarive në disa komuna.
“Takime të tilla ne kemi shpresuar që do duhej të ftoheshin nga Ministria e Arsimit, por fatkeqësisht një gjë e tillë nuk po ndodh, dhe ne po detyrohemi si Asociacion të takohemi pa ministren gati se çdo here. Kjo është me të vërtetë për të ardhur keq, sepse kemi shumë tema të cilat duhet t’i diskutojmë së bashku me ministren dhe të kërkojmë zgjidhje për shumë probleme. Në parim, në nuk kemi asnjë problem rreth mënyrave alternative të diskutimit, të furnizimit me libra, përderisa furnizimi bëhet me një shtator, ne jemi të bindur si drejtor komunal të arsimit që një gjë e tillë, me këtë mënyrë siç është propozuar nga ministria, do të jetë ë pamundur që mësimi të fillojë në kohë, sepse pajisja me tekste shkollore nuk do të ndodhë me kohë, për shkak të gjithë këtyre problemeve logjistike që do të krijohen. Kemi edhe shumë qytete të cilat nuk kanë librari fare, po e shoh këtu edhe drejtorin e Klinës, kemi edhe komunat e tjera, është edhe Hani i Elezit, mos gabofsha janë shtatë komuna në të cilat nuk ka fare librari dhe që do të ketë probleme logjistike me furnizim”, tha Musmurati.
Ndërkaq, drejtori i Arsimit nga komuna e Klinës, Qemajl Sejdiu tha se Këshilli i Prindërve ka shprehur shqetësim lidhur me mënyrën e furnizimit me libra për nxënësit, derisa tregoi se janë të detyruar të shkojnë në Pejë për t’i blerë ato.
“Tash rrugës na doli edhe një problem, furnizimi me libra, gjë e cila nuk është prit mirë hiç në komunën tonë. Ne kemi pas takime me Këshillin e Prindërve, ata e kanë shprehur shqetësimin për shkak që komuna e Klinës nuk ka as librari, këtë opsion të qeverisë që tash e kemi, fatkeqësisht, që mendoj se nuk është i mirë hiç, dhe nuk pajtohem me këtë vendim, se kjo është dashtë me qenë e përgatitur më herët, e jo mi sjell prindërit në këtë sfidë. Ne po e shohim sa probleme po kemi me numër të nxënësve, po bien nxënësit, me u qitë edhe një barrë tjetër prindërve që ata të kujdesen edhe për libra, mendoj se nuk ka qenë e mirë, dhe në si komunë nuk pajtohemi. Ne Klina tash duhet të shkojmë në Pejë nuk kemi tjetër zgjidhje, kjo na ka mbete zgjidhja, kjo është ajo që ka ofruar ministria. Është mirë të gjithë ata prindër që kanë nxënës në komunën e Klinës të shohin veprimet e Ministrisë së Arsimit”, u shpreh Sejdiu.
Po ashtu, edhe Drejtori i Arsimit në Rahovec, Avni Morina e sheh si të vonuar lajmin nga MASHT-i për rimbursimin e mjeteve për blerjen e teksteve shkollore.
“Ne si drejtori e arsimit i kemi bërë përgatitjet për fillimin e viti të ri shkollor, por është shqetësues fakti që pikërisht në kohën kur do të duhej që të shpërndaheshin librat nëpër shkolla dhe nxënësit të furnizoheshin me libra na vjen një lajm nga Ministria e Arsimit, një lajm shumë i vonuar i cili të paktën do të ishte mirë që të kumtohej në qershor, e jo tash kur jemi pak ditë prej fillimit të procesit arsimor. Është një shqetësim jo vetëm i drejtorisë së arsimit por edhe i prindërve, sepse ende nuk e din askush se si do të furnizohen me tekste shkollore. Unë nuk e di se si mund të fillojë procesi mësimor në qoftë se nxënësit nuk e kanë elementin bazë për nxënie që është libri”, tha Morina.
Ndërsa, Avni Fetahu, drejtor i Arsimit në komunën që qeveriset nga partia Vetëvendosje në Podujevë, e lëshoi mbledhjen, duke thënë se Kolegjiumi për Arsim është i politizuar dhe vendimet e tyre vijnë nga “byrotë politike”, derisa shprehet se kjo temë nuk duhet të merret si çështje dramatike.
“E lëshova takimin këtu, për arsye se kryetarja e kolegjiumit e bëri një deklaratë e cila do të duhej të postohej në faqen zyrtare të kolegjiumit, e cila është apolitike, mirëpo pas një kohe relativisht rreth 10 minutave e anuluan atë, dhe konsideroj se sikur t’i vije prej byrove politike të tyre e ndryshuan deklaratën dhe e publikuan një deklaratë skandaloze dhe e shndërruan në çështje shumë të politizuar këtë çështje të librave, fillimisht ka një qasje shumë produktive ku të gjitha drejtoritë komunale të arsimit do të jemi ndihmesë të Ministrisë së Arsimit për shpërndarjen e këtyre librave, duke adresuar fajin te MASHT-i sipas tyre. Mirëpo, me kalimin e kohës e ndryshuan. Çështja e librave ka filluar nga fillimviti, mirëpo kanë dalë këto probleme për të cilat kanë dhënë arsyetimin Ministria e Arsimit, alternativën që e kanë dhënë nuk duhet parë asnjë drejtori e arsimit si dramatike”, tha Fetahu.
Ndërkaq, kryesuesja e Kolegjiumit të Arsimit, Besianë Musmurati tha se deklarata është neutrale, jo tendencioze, dhe është miratuar me shumicë votash, përveç Fetahut, për të cilin thotë se vetëm doli nga mbledhja, duke mos dhënë ndonjë propozim se çka duhej të përmbajë deklarata.
Asociacioni i Komunave të Kosovës, gjatë ditës ka njoftuar se vonesa e shpërndarjes së teksteve mësimore nga MASHT-i, pamundëson fillimin e mbarë të viti shkollor, derisa potencojnë se për ta me rëndësi është që mësimi të fillojë më 1 shtator.