Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shaip Kamberi acarohet me ndërkombëtarët: Po i japin hapësirë Vuçiqit që ta vazhdojë politikën destabilizuese

 
   

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se urrejtja ndaj shqiptarëve është e instaluar dhe po kultivohet përditë nga të gjitha institucionet e shtetit serb.

Ai ka përmendur rastin e familjes nga Maqedonia e Veriut e cila u keqtrajtua dhe u dënua nga autoritetet e Beogradit sepse djali i asaj familjeje shqiptare kishte të veshur një bluzë me shqiponjë, si dhe ndalimin e shfaqjeve të filmave të autorit shqiptar.

Ai ka thënë se këto dy akte që i ka ndërmarrë Beogradi “legjitimojnë ksenofobinë antishqiptare e cila është instaluar në të gjitha instancat e shtetit të Serbisë”.

“Të njëjtat institucione që po nxisin dhe ushqejnë ksenofobinë me program shtetërore, për vite me radhë, po ndërtojnë kulturën e mohimit të krimeve të luftës e glorifikimit të kriminelëve të luftës, me polici po ruajnë muralet e kriminelëve të dënuar nga Tribunali ndërkombëtar për krime lufte dhe përmes projektit të ‘Botës serbe’ po vazhdojnë me politikën e aspiratave territoriale ndaj Kosovës, Malit të Zi e Bosnjës”, ka shkruar ai.

Kamberi ka theksuar se këtë po e bën edhe pse Serbia formalisht është në proces të integrimit në BE.

“Paradaoksale. Derisa BE është definuar si komunitet në të cilin dallimet konsiderohen pasuri, shteti aspirant për këtë komunitet, ato i sheh si kërcenim, ndalon diversitetin dhe shqipton dënime përmes gjyqësorit të kontrolluar. Liria e qarkullimit të njerëzve, mallrave e ideve është premisa elementare e BE-së. Kjo liri po cenohet hapur sot në Serbi”.

Kamberi ka shtuar se presidenti serb Aleksandër Vuçiq me politikën e mohimit të krimeve të luftës, nxitjen e ndjenjave neonaciste, ksenofobisë dhe aspiratave territoriale ndaj fqinjëve, ishte sabotues i idesë së bashkëpunimit multilateral në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka deklaruar se marrëveshja e Ohrit e rregullon çështjen e njohjes së simboleve shtetërore mes të dyja shteteve dhe se Serbia me veprimet e fundit e ka shkelur atë. E për më tepër, ka thënë Kamberi, kjo po ndodh para ndërkombëtarëve, teksa ka pyetur se pse pas gjithë këtyre akteve “bashkësia ndërkombëtare hesht”.

“Shqiponja në bluzën e djaloshit të mitur të familjes shqiptare nga Maqedonia, nëse edhe është një simbol shtetëror, ajo është simbol i Republikës së Shqipërisë. Simbolet e Republikës së Kosovës janë krejtësisht tjera. Cila është arsyeja pra e ndalimit të shprehjes publike të këtyre simboleve, nëse Serbia shënon siç thuhet ‘ngritje në raportet me Shqipërinë’. Mohimi i gjithçkaje që është shqiptare. Mohimi i simboleve, gjuhës e identitetit është politika që po e proklamon Serbia në raport me shqiptarët. Dhe gjithë këto akte dhune, ksenofobije, urrejtje, shovenizmi e neonacizmi po zhvillohen në sytë e Bashkësisë ndërkombëtare”.

Kamberi ka potencuar se bashkësia ndërkombëtare po i jep hapësirë Vuçiqit që ta vazhdojë politikën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor. Duke e krahasuar me kriminelin e luftës Slobodan Millosheviqin, Kamberi ka thënë se historia mund të përsëritet e se çfarë do të ndodhë, ai ka theksuar se do të varet nga reagimi i ndërkombëtarëve.

“Të shohim e presim ama edhe Millosheviqin pas Dejtonit e patën shpallur ‘garant të paqes në Ballkan’. U desh të kalonin katër vjet e të ndodhnin krimet kundër njerëzimit në Kosovë për ta shpallur ‘Kasap të Ballkanit’. Historia mund edhe të përsëritet”, ka përfunduar Kamberi.