Ferat Shala, deputet nga radhët e PDK-së, njëherësh edhe kryetar i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovës, ka folur për gjendjen e minatorëve dhe situatën ekonomike e financiare në Trepçë.
Ai bëri të ditur se kjo situatë në Ndërmarrjen Publike Trepça ka qenë në agjendë të Komisionit Parlamentar dhe është pritur raportimi për situatën atje nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sepse, shtoi ai,ka obligim institucional e kushtetues, ngase menaxhon me sektorin e ndërmarrjeve publike, në këtë rast edhe me Trepçën si Shoqëri Aksionare.
Deputeti Shala, mes tjerash, njoftoi për mënyrën e takimit me sindikalistët e Trepçës, i cili ishte jashtë agjendës zyrtare për t’i dëgjuar kërkesat e tyre, të cilat, sipas tij janë të qarta edhe legjitime, të drejta e të domosdoshme për t’u përmbushur.
“Kërkesat e minatorëve i përkrahim, sepse janë kërkesa të natyrshme, të realizueshme; janë kërkesa sindikale, sociale; janë kërkesa që në asnjë situatë nuk e dëmtojnë buxhetin e as institucionet e vendit”, deklaroi deputeti Shala në “InfoPlus”, në RTK, derisa shtoi se këtë kërkesë kanë propozuar edhe në seancën plenare në Kuvend.
Duke kritikuar neglizhencën e qeverisë së vendit ndaj grevistëve të Trepçës, Shala theksoi se kjo ndërmarrje është e bllokuar tash e tetë ditë.
Ai bëri të ditur se në grevë janë 700 minatorë e jo sikundër është thënë deri më tani, 200 minatorë, teksa sqaroi se pjesa tjetër e ndërmarrjes është jashtë funksionit.
Sipas tij, edhe minatorët e minierës në Kishnicë e Artanë i janë bashkuar grevës.
Deputeti Shala reagoi lidhur me vlerësimin e situatës në Trepçë si sabotim. Ai theksoi se nuk ka sabotim ma të madh se sa t’i kërcënosh punëtorët.
“Nuk ka sabotim më të madh, sesa të kërcënosh punëtorët; nuk ka sabotim më të madh, sesa të shkelësh ligjin e grevës; nuk ka sabotim më të madh, sesa të përjashtosh nga puna grevistin (me konventa ndërkombëtare janë të rregulluara këto çështje); nuk ka sabotim më të madh, sesa t’ia vonosh pagën e djersës së punëtorëve; nuk ka sabotim ma të madh, sesa të mbash një menaxhues ushtrues detyre për tre vjet; nuk ka sabotim më të madh, sesa të mbash në grevë 8 ditë e të mos i kontaktosh ata në mënyrë institucionale”, deklaroi deputeti Shala.