Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

SHBA dhe Europa “ngrijnë”, Australia “digjet” nga vapa 47 gradë

Pjesë të mëdha të Shteteve të Bashkuara dhe të Europës përballen me pamjen e vërtetë të dimrit, me reshje të dendura bore e kaos të qarkullimit, Australia bën llogaritë me një valë ekstreme të nxehti.

Rajonet perëndimore të vendit kërcënohen nga përvëlimi dhe rreziku i madh i zjarreve.

Zyra australiane e Meteorologjisë lëshoi sot një “paralajmërim për nxehtës ekstreme” në rajonet e largëta Pilbara dhe Gascoyne, duke paralajmëruar se temperaturat atje mund të kapërcejnë 40 gradët gjatë fundjavës.

Në qytetin minerar Pilbara të Paraburdoo, rreth 1500 km në veri të kryeqytetit Perth, një temperaturë maksimale prej 47 gradë Celsius është parashikuar për sot, apo më shumë se gjashtë gradë mbi maksimumin mesatar për janarin, raporton Reuters.

Moti i nxehtë rrit rrezikun e zjarreve në një sezon tashmë me rrezik të lartë mes fenomenit të motit “El Nino”, i cili zakonisht shoqërohet me ngjarje ekstreme të motit si zjarret, ciklonet dhe thatësira.

Paralajmërimi ka ardhur pasi qindra zjarrfikës luftuan me një zjarr të furishëm pranë Perthit mes temperaturave të larta në fillim të këtij muaji, duke shkaktuar evakuime masive.

Dy sezonet e fundit të zjarreve megjithatë në Australi kanë qenë të buta në krahasim me “verën e zezë” të zjarreve 2019-2020. që shkatërroi një zonë sa Turqia, vrau 33 njerëz, tre miliardë kafshë dhe shumë jovertebrorë.