Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar Izraelin se i duhet ta përmirësojë gjendjen humanitare në Rripin e Gazës menjëherë, ose ndryshe rrezikon ta humbë mbështetjen ushtarake amerikane.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, i paralajmëruan homologët e tyre përmes një letre dërguar të dielën se duhet të ketë ndryshime patjetër.
Letra, e cila thekson qëndrimin amerikan në lidhje me ndihmën humanitare dhe furnizimin me armë, u dërgua në një kohë kur kushtet në veri të Gazës janë përkeqësuar dhe pas raportimeve se Izraeli e ka bombarduar një tendë spitalore në Gazën qendrore, ku u vranë së paku katër njerëz dhe shpërtheu një zjarr që u shkaktoi plagë të rënda djegieje dhjetëra njerëzve.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha për gazetarë të martën vonë se SHBA-ja e di se është e mundur të futen më shumë ndihma në Gazë dhe se pengesat logjistike dhe burokratike mund të hiqen.
“Ne kemi nevojë të shohim ndryshime shtesë nga Qeveria e Izraelit”, tha Miller, duke shtuar se Uashingtoni shpreson se Izraeli do t’i bëjë ndryshimet e kërkuara në letër.
Që Izraeli të vazhdojë të jetë i kualifikuar për ndihmë të jashtme ushtarake, sasia e ndihmës që futet në Gazë duhet të rritet në së paku 350 kamionë në ditë, Izraeli duhet të vendosë pauza shtesë humanitare dhe të ofrojë siguri të shtuar për zonat humanitare, thanë Austin dhe Blinken në letër.
Një zyrtar izraelit e konfirmoi marrjen e letrës por nuk deshi të diskutojë për përmbajtjen e saj.
Me gjithë kërkesat e vazhdueshme dhe të zëshme nga administrata Biden për ta zvogëluar shkallën e ofensivave, bombardimet e ushtrisë izraelite kanë shkaktuar vdekje të panevojshme në mesin e civilëve dhe kanë rrezikuar ta zhysin rajonin në një luftë shumë më të gjerë.
Grupet për ndihmë humanitare druhen se liderët e Izraelit mund të miratojnë një plan për ta bllokuar plotësisht ndihmën humanitare në veri të Gazës, në përpjekje për ta lënë pa bukë Hamasin – grupin e shpallur terrorist nga SHBA dhe BE.
Por, sipas tyre, një gjë e tillë mund të bëjë që qindra mijëra palestinezë, të cilët nuk duan apo nuk munden të largohen nga shtëpitë e tyre, të mbesin pa ushqim, ujë, barna dhe karburant.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës thotë se më shumë se 42.000 palestinezë janë vrarë në Gazë prej se sulmi i 7 tetorit 2023 nga Hamasi në Izrael e nxiti luftën mes tyre.
Lufta ka shkaktuar rrënim të madh dhe i ka zhvendosur mbi 90 për qind të banorëve të Gazës prej 2.3 milionë.
Lufta nisi kur Hamasi kreu një sulm më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit, ku vrau rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbeu mbi 250 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.
Shtetet e Bashkuara i kanë shpenzuar në përgjithësi së paku 17.9 miliardë dollarë për ta ndihmuar ushtarakisht Izraelin prej kur nisi lufta, sipas një raporti nga projektit i Universitetit Brown për Kostot e Luftës.
Ajo ndihmë ia ka mundësuar Izraelit të blejë municione në vlerë miliarda dollarë, të cilat i ka përdorur në luftën e aj kundër Hamasit në Gazë dhe kundër Hezbollahut në Liban. Megjithatë, shumë prej sulmeve të Izraelit kanë vrarë edhe civilë në të dy vendet./Radio Evropa e Lirë