Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

ShBA-ja i dënon sulmet kibernetike ruse ndaj vendeve evropiane

Shtetet e Bashkuara i kanë dënuar “fuqishëm” një sërë sulmesh kibernetike ruse kundër disa vendeve evropiane, përfshirë Gjermaninë, Lituaninë, Poloninë, Sllovakinë, Suedinë dhe Republikën e Çekisë.

Sipas SHBA-së, sulmet u kryen nga një njësit i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Rusisë (GRU).

Departamenti amerikan i Shtetit tha në një komunikatë për media më 3 maj se APT28, i njohur si Fancy Bear, është përgjegjës për sulmet ndaj caqeve të ndryshme – nga kompanitë e mbrojtjes dhe të hapësirës ajrore te operatorët e infrastrukturës dhe partitë politike.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë ta ndalë këtë veprimtari dashakeqe dhe t’u përmbahet zotimeve dhe detyrimeve të veta ndërkombëtare”, tha DASH.

Të premten më herët, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se Rusia do të përballet me pasoja për sulmet kibernetike ndaj vendit të saj.

“Tani ne qartësisht mund t’ia atribuojmë sulmin e vitit të kaluar grupit rus, APT28, që kontrollohet nga shërbimi rus i inteligjencës ushtarake, GRU”, tha Bearbock gjatë një konference për media në Adelaide më 3 maj.

“Me fjalë të tjera, hakerët shtetërorë rusë kanë sulmuar Gjermaninë në hapësirën kibernetike”, shtoi Bearbock.

Dhjetorin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se raportet mes Rusisë dhe Gjermanisë janë gjerësisht të ngrira, raporton REL.

Në janar të vitit 2023, Berlini tha se hakerët rusë kishin sulmuar disa ueb-faqe gjermane, duke i nxjerrë nga përdorimi, në përgjigje të vendimit të Gjermanisë për të dërguar tanke në Ukrainë. Megjithatë, atëbotë autoritetet gjermane thanë se sulmi nuk kishte ndonjë efekt të ndjeshëm.

Tags: