Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

SHBA-ja i premton Izraelit mbështetje të “palëkundshme” kundër kërcënimeve nga Irani

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka premtuar Izraelit mbështetje të “palëkundshme” amerikane, pas druajtjeve të vazhdueshme se Teherani mund të hakmerret për një sulm nga i cili u vranë dy gjeneralë të lartë iranianë.

Biden paralajmëroi se Irani po kërcënon ta kryejë një “sulm të madh”, pas një sulmi kundër konsullatës iraniane në Siri para 10 ditëve, për të cilin Teherani e fajëson Izraelin.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbrojtur sigurinë e Izraelit”, tha Biden.

Të mërkurën, lideri suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se sulmi i Izraelit në Damask ishte i barasvlershëm me një sulm kundër vetë Iranit.

“Kur ata e sulmuan zonën e konsullatës sonë, ishte sikur të na e sulmonin territorin tonë”, tha Ali Khamenei në një fjalim televiziv.

“Regjimi i lig duhet të ndëshkohet, dhe do të ndëshkohet”, paralajmëroi ai.

CBS News raportoi më 5 prill se inteligjenca amerikane ka lënë të kuptohet se Teherani është duke planifikuar një sulm që do të përfshijë dronë Shahed dhe raketa lundruese.

Nuk dihet caku e as koha e sulmit të mundshëm, por goditja e një ndërtese diplomatike izraelite do të ishte përgjigje proporcionale, thuhet në raport.

Biden u zotua ta mbështesë Iranin duke folur për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën vonë, ku e priti kryeministrin japonez, Fuimo Kishida.

“Siç i thashë kryeministrit [të Izraelit Benjamin] Netanyahu, përkushtimi ynë ndaj sigurisë së Izraelit kundër këtyre kërcënimeve nga Irani dhe përfaqësuesit e tij, është i palëkundshëm – më lejoni ta them prapë: i palëkundshëm”, tha Biden./rel