Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, është futur në listën e sanksioneve amerikane.
Kështu bëri të ditur Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit.
Sipas Thesarit, Vulin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.
“Këto marrëveshje korruptive lehtësuan aktivitetin malinj rus në Serbi dhe rajon”, u tha në njoftim.
Sipas njoftimit të Thesarit, Vulin është përfshirë në krim të organizuar transatlantik, në operacionet joligjore narkotike dhe në keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Vulin ka mbajtur raporte që kanë pasur përfitim reciprok me trafikantin e armëve, Sllobodan Teshiq, duke mundësuar që dërgesat me armë të tij të mund të lëvizin lirshëm përtej kufijve të Serbisë”, u tha në njoftim.
Teshiq është në listën e zezë amerikane që nga viti 2017.
Thesari e akuzoi Vulinin se ka “avancuar” korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse serbe.
Këtu, sipas Uashingtonit, përfshihet edhe përdorimi i autoritetit për përfitim personal “sikurse përfshirja në një rrjet të trafikimit me drogë”.
“Ai ka përdorur pozitat publike për të mbështetur Rusinë, për të lehtësuar aktivitetin malinj të Rusisë që degradon sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanin Perëndimor dhe i ofron Rusisë një platformë për të përhapur më tej ndikimin e saj në rajon”, u tha në njoftim.
Vulin më herët ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes dhe i Brendshëm në Serbi.
Departamenti amerikan i Thesarit tha se nuk do të hezitojë që të shënjestrojë aktorët “që abuzojnë me pozitat e tyre për të përfituar duke minuar qeverisjen efektive dhe demokratike në Ballkanin Perëndimor”.
“Veprimet e sotme mbajnë përgjegjës Aleksandar Vulinin për veprimet e tij korruptive dhe destabilizuese që po ashtu kanë lehtësuar aktivitetet malinje të Rusisë në rajon”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Brian E.Nelson.
Vendosja e sanksioneve nënkupton që të gjitha pronat që Vulini mund të ketë në SHBA, apo që kontrollohen nga qytetarë amerikanë, do të bllokohen. Po ashtu, atij i ndalohet që të bëjë transaksione me shtetasit amerikanë./REL