Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

SHBA-ja sulmon caqet e Huthëve në Jemen

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar se forcat e saj kanë kryer disa sulme ajrore ndaj sistemeve raketore të lëvizjes rebele, Huthi, duke argumentuar se rebelët po përgatiteshin të kryenin sulme që kërcënonin Marinën amerikane dhe anijet tregtare.

Në orët e vona të së mërkurës, forcat e Komandës Qendrore të SHBA-së “kryen sulme vetëmbrojtëse ndaj dy raketave lundruese mobile të Huthëve, që ishte gati të lëshoheshin ndaj anijeve në Detin e Kuq”, tha Komanda amerikane në një deklaratë të publikuar më 8 shkurt në X, që më herët njihej si Twitter.

Komanda Qendrore amerikane tha se pas këtij sulmi, forcat amerikane “kryen një sulm të dytë ndaj raketave të pozicionuara në tokë, të cilat ishin gati të lëshoheshin nga Huthët”.

Ushtria amerikane tha se kishte identifikuar raketat në zonat e Jemenit, që kontrollohen nga Huthët, duke shtuar se Komanda Qendrore vendosi se ato paraqisnin “kërcënim të menjëhershëm për anijet e Marinës amerikane dhe për anijet tregtare në rajon”.

Të mërkurën, agjencia e lajmeve e Huthëve raportoi se SHBA-ja dhe Britania kishin goditur caqe në provincën Hodeida të Jemenit.

Rebelët e Huthit, që mbështeten nga Irani, kontrollojnë shumicën e Jemenit. Kjo lëvizje rebele, që nga nëntori i vitit të kaluar ka nisur sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit. Rebelët thanë se sulmet kishin për shënjestër anijet e lidhura me Izraelin dhe se ata po sulmonin anijet në mbështetje të palestinezëve, pas nisjes së luftës midis Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

SHBA-ja dhe Britania janë përgjigjur me sulme ndaj Huthëve, dhe që atëherë rebelët kanë thënë se interesat amerikane dhe britanike do të konsiderohen caqe legjitime, shkruan REL.

Më herët gjatë javës, Huthët thanë se kanë sulmuar anije amerikane dhe britanike gjatë dy sulmeve të kryera në Detin e Kuq.

Sulmet në Detin e Kuq, një rrugë vitale ku kalon afër 12 për qind e tregtisë globale, kanë detyruar shumë kompani të ndryshojnë rrugën e transportit të mallrave

Tags: