Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

SHBA-ja thotë se ka rrëzuar 15 dronë mbi Detin e Kuq

Forcat e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve kanë rrëzuar 15 dronë që u lansuan nga lëvizja rebele jemenase, Huthi, në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, tha ushtria amerikane më 9 mars.

Sulmi me 15 dronë ishte një prej sulmeve më të mëdha të Huthëve që nga nëntori kur rebelët nisën të shënjestronin me raketa dhe dronë anijet në zonën e Detit të Kuq, që është një rrugë kyçe për tregtinë botërore.

Huthët, që mbështeten nga Irani, thonë se kryejnë sulme në solidaritet me palestinezët, pas nisjes së luftës me Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – në Rripin e Gazës.

Komanda Qendrore amerikane, e njohur me shkurtesë CENTCOM, tha se sulmi i Huthëve ndodhi pak para agimit në Detin e Kuq dhe Gjirin e Ademit.

CENTCOM dhe forcat e koalicionit vlerësuan se dronët “paraqisnin një kërcënim të menjëhershëm ndaj anijeve tregtare, Marinës amerikane dhe anijeve të koalicionit në rajon”.

Në njoftim u tha se “anijet e Marinës amerikane, së bashku me avionët dhe disa anije të marinave të shteteve të koalicionit dhe avionë rrëzuan 15” dronë.

“Këto veprime u ndërmorën për të ruajtur lirinë e navigimit dhe për t’i bërë më të sigurta ujërat ndërkombëtare”.

Më 9 janar, forcat amerikane dhe britanike kishin rrëzuar 18 dronë dhe tri raketa që u lëshuan nga rebelët drejt anijeve në Detin e Kuq, kishte njoftuar atëbotë Ushtria amerikane, shkruan REL.

Në dhjetor, SHBA-ja njoftoi për një nismë të sigurisë detare për të mbrojtur anijet në Detin e Kuq nga sulmet e Huthëve. Sulmet e rebelëve jemenas kanë detyruar anijet komerciale të ndryshojnë rrugëtimin e tyre për të shmangur Detin e Kuq ku kalon 12 për qind e tregtisë globale.

Që nga janari, SHBA-ja dhe Britania kanë kryer sulme të vazhdueshme ndaj caqeve të Huthëve në Jemen në përgjigje të sulmeve ndaj anijeve. Por, rebelët kanë vazhduar sulmet ndaj anijeve tregtare dhe po ashtu kanë shënjestruar anije amerikane dhe britanike.

Tags: