Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“ShBA ka plane ta ndëshkojë Serbinë, pret momentin”, komentohet raportimi i Esobarit në Kongres

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor ka raportuar të martën në Kongres amerikan.

Raportimin e tij Esobar e ka filluar në Komitetin për Punë të Jashtme dhe duke paraqitur raportin për Ballkanin Perëndimor, ka folur për situatën në Kosovë dhe raportin e saj me Serbinë.

Për Escobar, marrëveshja e arritur në Ohër më 18 mars në mes të Kosovës dhe Serbisë paraqet një mundësi të madhe për të dyja palët.

“Marrëveshja e Ohrit siguron mundësi për të dyja vendet, për të krijuar një marrëdhënie paqësore dhe hapjen e një dere drejt integrimit evropian. Marrëveshja kërkon njohjen e Kosova nga Serbia. Njohjen e simboleve, diplomat, targat. Kosovës marrëveshja ia kërkon zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, është shprehur Escobar.

“Besoj që të dyja vendet duhet të angazhohen për këtë pa kushte. Ne angazhohemi që të dyja palëve t’ua kujtojmë obligimet në mënyrë që të kemi progres të dukshëm gjatë këtij vitit”.

Ndërsa në hapësirën e pyetjeve, kongresmeni nga Teksasi Keith Self ka pyetur Esobarin për qasje qasjen e balancuar në raport me Kosovën e Serbinë.

“Po dëgjoj një lloj jokonsistence. Ju keni thënë që keni qenë në anën e Kosovës në çdo moment por tani po shohim një qasje më të balancuar. Por nuk ka dyshim se Vuçiqi ka nxitur bojkotimin e zgjedhjeve të Kosovës. Kjo nuk ka aspak dyshim. Vuçiqi i ka shtyrë zgjedhjet e veta edhe për shkak të zgjedhjeve të Kosovës”, ka deklaruar Self.

Kongresmeni nga Teksasi ka insistuar edhe më tej në këtë pozicion neutral të Escobarit.

“Pse nuk kemi sanksione ndaj Serbisë kur e dimë se prej shumë vitesh importon armë nga Rusia”.

Derisa Escobar është përgjigjur se sanksionet ndaj Serbisë duhet të plotësojnë edhe disa kritere.

“Këto sanksione nuk lidhen vetëm me blerjen e armatimit rus. Po të ishte kështu edhe ndaj Turqisë do të duhej vendosur sanksione. Në pyetje janë niveli i blerjeve dhe kapacitetet. Por e kemi paralajmëruar Serbinë”, ka deklaruar Escobar.

Self ka kërkuar një koment nga Escobari edhe një qëndrim të tij në lidhje me “përkëdheljen e Serbisë” në raport me Kosovën.

Derisa Escobar ka mohuar se po ndodh një gjë e tillë.

“Kjo qasje është e gabuar dhe ne kemi fakte. Në 60 ditët e fundit ne kemi mbështetur Kosovën për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës si dhe kemi njohur legjitimitetin e zgjedhjeve në veri edhe pse kanë dalë në zgjedhje vetëm 3%. Kemi sanksionuar edhe shefin e Inteligjencës së Serbisë”, ka deklaruar Escobar.

Në fund Kongresmeni nga Teksasi i kërkoi Escobarit të mos lejojë ndikimin e Serbisë në zonën e NATO-s.

Të pyetur rreth raportimit të Esobarit dhe nëse Amerika ka mos neutralitet të tij në dialog, kanë folur analistët politikë.

Xani: Konsideroj që SHBA ka plane edhe për Serbinë për ta ndëshkuar

 Image Visar Xani 

Analisti politik, Visar Xani, thotë se ShBA ka plane edhe për Serbinë për ta ndëshkuar, por është duke pritur momentin e caktuar.

“Raportimi ishte një dëshmi se SHBA, vazhdon të angazhohet dhe interesohet për Kosovën. Ndërsa sa i përket pyetjeve sfiduese nuk do të thotë që mund të vërehet mos neutraliteti por nuk duhet harruar se në SHBA, ka demokraci dhe bëhet çdo pyetje. Konsideroj që SHBA ka plane edhe për Serbinë për ta ndëshkuar, por është duke pritur momentin e caktuar. Tash për tash duket që Amerika është e interesuar të mbajë Kosovën në koordinim dhe afër në proces”, shprehet Xani.

Sipas tij, Amerika historikisht e ka dëshmuar që është në anën e Kosovës dhe projektet e saj nuk do ta lejojnë Kosovën të dështojë.

“Amerika historikisht ka dëshmuar që është në anën e Kosovës. Ndërsa ne si Kosovë nuk kemi pasur dyshime në këtë mbështetje, por durim besim e bashkëpunim. Kosova është projekt i SHBA-së, dhe projektet amerikane në politikën e tyre strategjike nuk lejojnë të dështojnë por edhe ne si Kosovë nuk duhet sfiduar. Ka momente që na duken që janë duke u marrë veprime të pa drejta nga faktori ndërkombëtar, por historia ka treguar se fundi ka qenë i favorshëm për Kosovën”, thekson analisti.

Mulliqi: Nuk është e drejtë që për mos zbatim të kritikohet vetëm Kosova, e jo Serbia

 Image Skënder Mulliqi 

Ndryshe mendon analisti politik, Skënder Mulliqi, i cili ndërmjetësit e BE-së dhe ndërmjetësuesin Esobar i konsideron jo korrekt.

“Së ndërmjetësit e BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak e Borrel nuk janë treguar korrekt me Kosovën, tashmë e kanë shpërfaqur disa herë në deklarimet e tyre politike në Bruksel, dhe pas takimeve që i kanë pasur me Kurtin dhe Vuçiqin në Prishtinë dhe në Beograd. Ka qenë e pa pritshme për Kosovën qasja jo shumë korrekte edhe e amerikanit Gabriel Eskobar. Disa herë na ka qortuar për mos dëgjueshmeri ndaj kërkesave që i paraqiti ai më Borellin dhe Lajçakun, lidhur me dy marrëveshjet e fundit të Brukselit dhe të Ohrit. Escobar më shumë e fajësoi Kosovën për veprimet subversive të strukturave kriminale paralele serbe në veri, të cilat haptazi me protesta dhe incidente të rënda kanë dalë kundër pavarësisë së Kosovës”, nënvizon Mulliqi.

Ai kërkon që të definohet për çfarë asociacioni kërkohet, gjersa shton se Serbia nuk i zbaton në praktikë atë për çka janë “marrë vesh”.

“Raportimi i tij para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësueseve në Shtetet e Bashkuara ka qenë sa më butë në krahasim më deklarimet e tija të mëparshme, kur bëhet fjalë me zbatim apo mos zbatim të marrëveshjeve gojore të Brukslit dhe të Ohrit. Sigurisht se Eskobar ka pasur presion nga shumë ligjvënës të Amerikës se nuk është e drejtë që për mos zbatim të kritikohet vetëm Kosova, e jo Serbia, e cila i ka pranuar marrëveshjet vetëm, aty ku asaj i kanë hyrë në funksion. Kosova e ka pranuar marrëveshjen e Ohrit, ndërsa Vuçiqi nuk e ka pranuar planin franco gjerman në të gjitha pikat. Përshkallëzimi i situatës në veri siç e ka potencuar Eskobar, nuk bëhet duke e kritikuar vetëm njërën palë, e duke e përkëdhelur palën serbe, e cila është fajtorja kryesore pse ka eskaluar situata me dhunë në veri. Eskobar thotë së Kosova duhet të implementojë Asociacionin pa precizuar se për çfarë asociacioni bëhet fjalë. Kjo na shton dyshimin se bëhet fjalë për zbatimin e Asociacionit të marrëveshjeve të Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, që nuk është e pranueshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Kosova dhe Serbia thotë Eskobar kanë arritur pajtueshmëri, në shkurt të këtij viti në Bruksel, për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Më pas, në mars, në Ohër janë pajtuar për ankesin e zbatimit të marrëveshjes. “Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Krejt këto që i përmend Eskobar janë në rregull, po nuk është në rregull që Serbia nuk po i zbaton në praktikë. Eskobar, Lajçak dhe Borrell, është mirë që këto pika t’i përmbushën detyrimisht nga Serbia e shovinistit, Vuçiqi, e jo vetëm të mbeten si deklarime politike në letër. Kosovës i kërkohet që të zbatojë obligimin që e ka për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Duhet Eskobar, Lajçak dhe Borrell t’i heqin tashmë dilemat përfundimisht në opinion se për çfarë asociacioni e kanë fjalën. Ai më kompetenca ekzekutive që mendohet së është në tryezë, nuk duhet të pranohet nga Kosova”, përfundon Mulliqi.