Shtetet e Bashkuara e kanë prezantuar pakon e ndihmës ushtarake për Tajvanin në vlerë të 345 milionë dollarëve, e cila besohet se do ta forcojë kapacitetin e ishullit për ta luftuar ndonjë pushtim eventual nga Kina.
Tajvani është ishull që vetëqeveriset, por për të cilin Kina ka pretendime territoriale.
Shuma e pakos – e cila sipas një zyrtari përmban pajisje për inteligjencë, vëzhgim dhe zbulim, si dhe municion për armë të vogla – do të tërhiqet nga rezervat e SHBA-së, për të mundësuar dërgimin e saj të shpejtë në Tajvan.
Një zëdhënës i Pentagonit ka thënë se përmes kësaj ndihme “Tajvani do të mund ta rrisë mbrojtjen tani dhe në të ardhmen”.
Ministria e Mbrojtjes në Tajvan e ka falënderuar Uashingtonin për “përkushtimin ndaj sigurisë së Tajvanit”.
“Tajvani dhe SHBA-ja do të vazhdojnë të bashkëpunojnë nga afër në fushën e sigurisë, ashtu që ta ruajnë paqen, stabilitetin dhe status quo-në e Ngushticës së Tajvanit”.
Vitin e kaluar, ushtria kineze i ka realizuar dy stërvitje të mëdha ushtarake afër Tajvanit, duke simuluar sulme të shënjestruara dhe një bllokadë në ishull.