Departament amerikan i Shtetit ka shpallur sot non-grata Ramiz Merkon, kryetar i Komunës së Strugës në Maqedoninë e Veriut.
Zëri i Amerikës raporton se Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm.
Në njoftimin e Departamentit të Shtetit thuhet se Merkon ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.
Më tej, thuhet se veprimi i sotëm dërgon mesazhin që Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Maqedonisë së Veriut për të nxitur stabilitetin përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe trajtimit të mangësive që lidhen me sundimin e ligjit.
“Ky përcaktim ripohon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre”, përfundon njoftimi i Departamentit amerikan të Shtetit.