Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

SHBA vjen me thirrje për Kosovën e Serbinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të përsërisin thirrjet për shtensionim të situatës në veri. SHBA sërish i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në tryezën e dialogut.

Në një konferencë për media zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka përsëritur se “SHBA-të i kanë bërë thirrje të dyja palëve të ndërmarrin hapa për të de-përshkallëzuar situatën dhe për t’u kthyer në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

Kujtojmë se po sot, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të raportojë në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë.

Në raportimin përmes të cilit Escobar pritet të dalë para Komisionit, riktheksohet përkushtimi amerikan për integrimin e vazhdueshëm të rajonit në strukturat euroatlantike dhe fokusimin e veçantë në progresin dhe sfidat në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Pjesa e konsiderueshme e raportit fokusohet në marrëdhëniet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, e cila përfshin edhe obligimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Javën e kaluar, Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.

Ndërkaq nesër në Bruksel pritet të mbahet takimi në nivel kryenegociatorësh.