Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano ka thënë se Misioni është duke punuar me policinë dhe Qeverinë e Kosovës në përpjekje për të reduktuar praninë e policisë në zonat e ndërtesave komunale dhe administratave në katër komuna për rreth 70 për qind.
“Ne prisnim të ndihmonim në zvogëlimin e mëtutjeshëm të asaj pranie me 25 për qind shtesë”, tha Barbano duke shtuar se dje ka marrë pjesë në një takim me komandantin e KFOR-it dhe drejtorin e Policisë së Kosovës.
Siç shpjegoi Barbano, tërheqja graduale e policisë do të ishte një hap nga Marrëveshja e Bratislavës, e cila përfshin hapa të ndryshëm për de-përshkallëzimin në veri.
“Aktualisht jemi të angazhuar me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për të përcaktuar aspektet teknike të modaliteteve me të cilat do të kryhen këto vlerësime të sigurisë. Por ne mund ta konsiderojmë se procesi ka filluar”, thekson ai, duke shtuar se “ka ndikacione të mira”.
I pyetur nëse plani evropian nënkupton tërheqjen e plotë të forcave speciale nga veriu i Kosovës, Barbano përgjigjet:
“Sipas vlerësimit tonë, prania e Policisë Speciale të Kosovës në veri është zvogëluar jashtëzakonisht dhe ky ishte hapi i parë i ndërmarrë nga autoritetet në Prishtinë. EULEX-i ka shtuar praninë edhe në veri – tani keni patrullat e dukshme që synojnë të plotësojnë boshllëkun e krijuar pas shkarkimit të policëve serbë nga puna në fund të majit 2023”.
Megjithatë, ai thotë se EULEX-i nuk është në gjendje të marrë kontrollin e situatës së sigurisë nëse ka nevojë për të.
“Ne jemi këtu për të ruajtur sundimin e ligjit në Kosovë dhe institucionet e saj për të arritur punë më efikase dhe aktivitete më të mira, me qëllim të respektimit të të drejtave të njeriut. Detyra jonë nuk është t’i zëvendësojmë ato institucione. EULEX-i mund të veprojë vetëm në përputhje me mandatin e tij, si akter i rendit të dytë të sigurisë në një kërkesë specifike të agjentit të sigurimit të rangut të parë, që është Policia e Kosovës kur bëhet fjalë për fushën e ruajtjes së rendit publik”, tha ai në një intervistë për Euronews Serbia.
Ai shton se EULEX-i ende nuk ka pranuar një kërkesë të tillë dhe se në çdo rast kryerja e detyrave të zakonshme policore nuk është pjesë e mandatit të EULEX-it.
Barbano thotë se vlerësimi i tanishëm i EULEX-it është se situata është “shumë më stabile dhe paqësore”, prandaj vazhdon ta monitorojë situatën.
Duke folur për serbët e paraburgosur, Barbano thotë se trajtimi i tyre monitorohet në njësitë e ndryshme korrektuese të Kosovës dhe se deri më tani “nuk kanë pasur asnjë ankesë për trajtimin nga stafi i Kosovës”.
“Monitorimi ynë bëhet përmes vizitave të rregullta në ato burgje, por edhe përmes kontakteve të drejtpërdrejta me të paraburgosurit”, tha ai.
Barbano iu referua edhe raportit të oficerit ndërlidhës Dejan Pavićević, në të cilin thuhet se serbët që protestuan dhe më pas u arrestuan janë rrahur edhe nga policia e Kosovës.
Ai e konfirmoi atë raport, por theksoi se lëndimet e marra lidhen me “fazën e arrestimit”.
“Policia e Kosovës ka thënë se ka rezistuar. Sigurisht që autoritetet gjyqësore janë duke i hetuar këto çështje. EULEX-i ka dorëzuar një raport tek zyrtarët e BE-së për këtë situatë dhe hetimi është duke u zhvilluar”, tha ai.
Ai thekson se EULEX-i ka reaguar për shkeljen e të drejtave të njeriut kur është fjala për publikimin e fotografive të personave të privuar nga liria, si dhe vendosjen e kapuçëve mbi kokë gjatë arrestimeve.
“Sipas konstatimeve dhe raporteve tona, ne kemi besuar se mund të ketë pasur trajtim të keq të personave të paraburgosur dhe mosrespektim të praktikave ndërkombëtare. Natyrisht, këto pyetje nuk zgjidhen drejtpërdrejt nga EULEX-i sepse nuk e ka atë autoritet që nga viti 2018, por vetëm një mandat të kufizuar ekzekutiv. Megjithatë, të gjitha të gjeturat e vëzhgimeve tona u janë dërguar autoriteteve kompetente”, tha Barbano.
I pyetur nëse sheh problem në faktin se disa prej tyre janë në paraburgim prej më shumë se një viti dhe nuk e dinë se për çfarë akuzohen, Barbano përgjigjet:
“Unë do të thosha se është një aspekt gjyqësor shumë specifik. Autoritetet gjyqësore të Kosovës kanë mundësi të miratojnë vazhdimin e paraburgimit sipas legjislacionit të Kosovës, i cili bazohet në vlerësimin rast pas rasti dhe bazuar në disa faktorë.”
Ai shton se aktualisht janë duke monitoruar 110 çështje të ndryshme dhe gjykime në vazhdim, por se nga pikëpamja strikte procedurale gjithçka është në përputhje me ligjin.