Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shehu i LDK-së e quan “skandal” emërimin e Radomiroviq si zëvendësministër

Si “ndër skandalet më të mëdha të mundshme” është cilësuar emërimi i Radojica Radomiroviq si zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim nga ana e anëtarit të kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shefqet Shehu.

Shehu ka deklaruar se emërimi i Radomiroviq si zevëndësministër ishte tronditës për të dhe se një emërim i tillë paraqet një padrejtësi për vendin.

“Gjersa isha duke lexuar artikullin, të them të drejtën kam qenë i ri viteve të 90-ta dhe për një moment më doli përpara e gjithë ngjarja, ajo masakra që ka ndodhur në Prekaz e të tjera. U shtanga dhe nuk dija si të reagoja. Ishte më shumë se ofenduese, më shumë se e papranueshme. Nuk di çka të them, por mund të them se është ndër skandalet më të mëdha të mundshme, një padrejtësi e madhe që ju ka bërë të kaluarës e të tashmes. Rrjedhimisht, edhe të ardhmes”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, në media është raportuar se Radomiroviq kishte qenë pjesë e ushtrisë serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Qeveria i ka mohuar pretendimet e tilla duke deklaruar se Radomiroviq kishte qenë pjesë e stafit civil.