Shembja e dheut në rrugën Klinë-Gjakovë, Durmishi: Po bëjmë përpjekje që ta hapim sa më shpejt për qarkullim
Rruga Klinë-Gjakovë është bllokuar, meqë në orët e para pas mesnatës ka pasur rrëshqitje të dheut.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i ka thënë Express se janë duke bërë përpjekje që rruga të hapet sa më shpejt në qarkullim.
Durmishi ka thënë se nuk ndodhet në vendngjarje, por se është në kontakt me përgjegjësit.
“Nuk jam në vendngjarje por jam duke komunikuar me drejtorin e departamentit të menaxhimit të rrugëve dhe menaxherin. Jemi duke bërë përpjekje që sa më shpejtë ta hapim rrugën për qarkullim”, ka deklaruar Durmishi.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka thënë se për shembjen e dheut janë njoftuar pas mesnatës dhe se rruga vazhdon të jetë e bllokuar.
“Policia e Kosovës është informuar për shembjen e dheut në orën 01:00 pas mesnatës. Policia ka dalë në vendngjarje, pra ku është shembur dheu në Volljakë, ku edhe janë duke u kryer punime. Rruga vazhdon të jetë e pakalueshme edhe në momentin që po flasim. Në vendngjarje është edhe kompania që është duke i kryer punimet dhe po mundohemi që të largojmë dheun”, ka thënë Rugova.
Mediat lokale kanë publikuar fotografi nga gjendja e rrugës, ku shihet se është shkatërruar nga shembja e dheut.