Saga e vrasjes së Pëllumb Metës vijon me detaje të reja. Amarildo Meta, djali i vogël i viktimës, ka mohuar para hetuesve të jetë ai autori i vrasjes, i pyetur pas daljes së akt-ekspertizës balistike të armës ku u gjetën shenjat e tij të gishtave. 19-vjeçari i ka qëndruar të njëjtës dëshmi që ka dhënë edhe më parë.
Ai ka pretenduar sërish para hetuesve se nuk e ka prekur pistoletën dhe nuk ka qëlluar vetë të atin. Si autore të vrasjes fajëson të motrën, Hygertën, e cila ka marrë përsipër edhe krimin.
Sipas tij, ai ka qenë në servis kur e motra Hygerta ka vrarë babanë dhe ngjarjen e ka marrë vesh pasi u kthye në shtëpi. Ai deklaron se për ngjarjen e rëndë vetëm ka ndihmuar të vëllanë Hysenin për të fshehur makinën e të atit, që u gjet në sektorin Rinia.
Tre fëmijët kanë dhënë deklarata kontradiktore, ndaj po kryhen hetime intensive për zbardhjen e autorit kryesor. Sa i përket shkaqeve, dhuna në familje dhe fejesa me shkuesi e Hygertës mbeten pista kryesore.
Nuk përjashtohet as konflikti për pronat. Nga hetimi pasuror rezulton se viktima kishte dy shtëpi dhe një sipërfaqe toke në zonën industriale të Durrësit.