Banda e Laert Haxhiut kishte vënë në shënjestër edhe njerëzit e drejtësisë. Të paktën kjo doli nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë Aran Tafani, i cili u arrestua disa ditë më parë.
Tafani tha se Laert Haxhiu kishte për qëllim eleminimin fizik të prokurores së SPAK, Doloreza Musabelli, Merita Selimi ish-prokurore në Lushnjë dhe avokatin e Lushnjës, Adriatik Doga.
Ky i fundit, i quan trillim atentatet dhe vrasjen që ishte planifikuar për të.Sipas tij, gjatë punës si avokat nuk është ndier asnjëherë i kërcënuar nga Artan Tafani, përkundrazi përpara arrestimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë, ata kanë pirë kafe se bashku sepse janë edhe kushërinj, sipas BW.
Avokat Doga shprehet se që nga momenti që emri i tij u bë publik si shënjestër për t’u vrare, nuk ka kërkuar mbrojtje, por të paktën duhej të ishte bërë një ballafaqim me Tafanin ose të thirrej nga prokurori i Elbasanit për t’u njohur me rrethanat. Tafani, sipas Dogës, është njeri i varur nga lëndët narkotike dhe duhen parë edhe rrethanat e deklaratave të tij përpara prokurorisë.“Unë e kam marrë vesh nga konferenca për shtyp e drejtorit të Policisë së Shtetit, jam shokuar. Trillim. Telefonatat e njerëzve, shkrimet në portale, ndihesh i shqetësuar, se nuk pushonte telefoni. U tha se më është bërë 3 herë atentat, për mua nuk ekziston. As jam ndjerë i kërcënuar apo të më ketë marrë dikush në telefon, prej 10 vitesh. S’jam ndjerë i kërcënuar kurrë. Nuk kam pasur asnjë përplasje, asnjë marrëdhënie me grupin e Haxhiajt. Kam qenë avokat i Mariusit, madje e kam kushëriri. Madje xhaxhai i tij më tha që të isha avokati i tij ditën kur u arrestua, por kur dëgjova pas dy ditësh këtë deklaratë, u habita. Nuk kam pasur asnjë kontakt nga policia apo prokuroria. Asnjë interesim. Nuk kërkoj mbrojtje për veten time. Nëse shteti e ndjen veten për të mbrojtur, të më mbrojë. Kush ka ndërmend të më vrasë, të më vijë më vrasë. Me Laert Haxhiun nuk njihem as për fytyrë, me babain e tij përshëndetem me respekt rrugës. Me Mariusin kam marrëdhënie familjare dhe kam qenë avokat i tij. Kur më ka kërkuar kushdo mbrojtje ligjore, kundrejt pagesës, e kam marrë në mbrojtje”, tha avokati.
Mes të tjerash avokati tha se me Laert Haxhiun nuk ka njohje personale dhe asnjëherë nuk ka pasur konflikte as me çështjet e tij dhe as me grupin rival, atë të Aldo Bares. Avokati në ketë interviste, mohon gjithçka është thënë për atentatet e kryera apo vrasjen që ishte planifikuar për të. Artan ose Marius Tafani u arrestua për grabitjen e një pike valutore dhe me pas u bë i penduar i drejtësisë, ku zbuloi 6 vrasje të bëra nga grupi i Laert Haxhiut.