Një konflikt me sëpatë për motive të dobëta ka ndodhur në lagjen “Çlirimi” të Beratit. Kanë qenë uniformat blu që kanë ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit mes 2 personave që mund të sillte pasoja për jetën.
“Sapo janë njoftuar se në lagjen “Çlirimi”, një shtetas po kanoste një tjetër me mjet prerës (sëpatë), për shkak të një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje”, njofton policia.
Si rezultat i ndërhyrjes, policia ka vënë në pranga 36-vjeçarin me iniciale A.F. Ai është kapur në flagrancë në një rrugë të lagjes “Çlirimi” teksa kanoste me sëpatë 39-vjeçarin me iniciale A. P., për shkak të një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet tyre. Si provë materiale, Policia ka sekuestruar sëpatën me të cilin u krye kanosja.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme./tvklan.al