Periudhës me reshje shiu dhe temperatura të ulëta në vendin tonë, pritet t’u vijë fundi nga e diela e kësaj jave, kur pritet të mbajë mot me diell dhe ngritje të temperaturave.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, të shtunën parashihet të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat gjatë ditës parashihen të sjellin reshje shiu.
“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 16-19 gradë Celsius”, njofton IHK, transmeton Telegrafi.
“Të dielën do të mbajë mot kryesisht me diell, por edhe me vranësira të shpërndara të cilat më të fokusuara do të jenë për gjatë relievit malor. Në fushat termike parashihet të kemi rritje për 3-6 gradë Celsius. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-23 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja e lehtë deri mesatare”, thuhet në njoftim.
IHK thotë se pas këtyre reshjeve të intensitetit të mesëm deri të lartë, ku shkaktuan vështirësi në shumë pjesë të Kosovës dhe dëme në fushën e bujqësisë, java e ardhshme parashihet me kushte tipike verore, pasi që merkuri në termometër parashihet të arrijë vlerat e 30-31 gradë Celsius dhe reshjet do të ndërpriten përkohësisht.