Zhvarrosja e tij mbrëmjen e 22 shkurtit nga policia pak metra larg banesës ka qenë një moment shokues për Ramazanin, vëllain e Pëllumbit i cili për ditë me radhë ka kërkuar një shenjë të të vëllait të zhdukur.
“Mora vesh që vëllai ishte zhdukur shkova në polici shkova dhe tek familja e tij pyeta. Më thanë nuk dimë gjë. Kjo ishte shumë e dyshimtë, por unë nuk dyshova tek fëmijët dhe tek familja e tij. Në orën 11 të natës së datës 22 erdhi policia dhe e zhvarrosi. Unë vëllain e paskam pasur këtu dhe e kërkoja në vende të tjera”, tha vëllai i viktimës Ramazan Meta.
Sipas të afërmve të Pëllumb Metës pretendimet për dhunë që kanë ngritur bashkëshortja dhe fëmijët e tij pas krimit nuk qëndrojë. Ata kërkojnë thellim të hetimeve dhe ndëshkimin e kujdo që ka ideuar krimin.
“Shkaktarja e kësaj pune është e shoqja. Shteti të bëjë punën dhe të gjejë autoren kryesore. Kush pati mundësi t’i mësojë fëmijët? Fëmijët nuk patën asgjë të keqe nga babai i tyre. I shkolloi dhe i mbajti afër. Çfarë të keqe patën? Mirë që e vranë por pse e groposën që ta zhduknin. Të vinin të më thoshin “O xhaxhi në zënkë e sipër e vramë”, tha ai.
Sipas familjarëve të Pëllumb Metës, bashkëshortja e tij Blerina i ka ushqyer fëmijët gjithmonë me urrejtje ndaj të atit dhe njerëzve të tij. Ajo nuk mbante marrëdhënie të mira me askënd dhe detyronte edhe Pëllumbin të mos u fliste familjarëve megjithëse i kishte fqinj.
Ndërsa për fëmijët ata shprehen se kanë qenë të qetë përveç djalit të madh Hysenit I cili kishte prirje të dhunshme dhe së fundmi ishte përdorues i lëndëve narkotike.