Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ka njoftuar pak ditë më parë largimin nga puna të 180 punonjësve që ishin në institucionet në varësi të kësaj bashkie. Nga data 5 shkurt, të paktën 180 punonjës janë hedhur në rrugë nga Beci, ndonëse kishin deri në 25 vjet që punonin në bashki.
Për këtë ka reaguar edhe këshilltarja demokrate në Bashkinë Shkodër, Eliona Kodra Shkreli, ku e cilëson veprimin e Becit si një akt hakmarrje politike, duke paralajmëruar më tej se për shkak të kryebashkiakut aktual kohërat e vështira sapo kanë filluar për qytetarët shkodran.
Reagimi i plotë i Shkrelit:
“Qindra shkodranë janë hedhur sot në rrugë të madhe, në kuadër të ‘shkrirjes së ristrukturuar’ të Beneti and CO.
Prej sot rreth qindra persona kanë mbetur pa punë sepse në këto kohë varfërie që përjeton Shkodra, kryebashkiaku tiranas ka vlerësuar që numri I të papunëve duhet shtuar në këtë qytet…
Në 32 vite pluralizëm, nuk ka ndodhur asnjëherë që në Shkodër burra, gra, vajza dhe individë që i mungon 1 vit për të dalë në pension, të hiqen nga puna në masë, pa u njoftuar asnjë ditë përpara përveçse kur i ka shkuar në dorë zarfi i pushimit nga puna.
Dita e sotme thellon krizën e papunësisë, thellon varfërinë, thellon shpopullimin, thellon ndjenjën e pashpresë të shkodranëve. Lapsi i ra sot qindra qytetarëve duke paralajmëruar se kohët e vështira sapo kanë filluar edhe në Shkodër. Sistemi komunist nuk kishte asnjë ndryshim nga sistemi i sotëm rilindas që ka lëshuar tentakulat edhe në Shkodër pas grabitjes që iu bë këtij qyteti në votimet e 14 Maj-it.
Kthehuni pas e kujtoni letrën elektorale me të cilën iu drejtua kandidati Beci punonjësve të Bashkisë Shkodër, dhe kuptoni mashtrimet me të cilat ka synuar dhe synon t’i shpërlajë trurin shkodranëve!
Koha është për reagim, shkodranët të tregojnë veten dhe historinë e tyre për të mos iu nënshtruar regjimeve diktatoriale, të reagojnë në mbrojtje të të drejtave të tyre. Nuk mundet një i ardhur nga Tirana t’i heqë bukën e gojës shkodranëve demokratë vetëm për hakmarrje politike apo për të vënë në vënd porositë e kryerilindasit.
Sot Shkodra është zgjuar në mjerimin e papunësisë së qindra shkodranëve. Kohët e errëta sapo kanë filluar…”, shkruan këshilltarja demokrate.