
Analisti dhe publicisti Shkëlzen Gashi ka ndarë një rrëfim personal mbi fushatën e zgjedhjeve të para lokale në Kosovën e çliruar në vitin 2000, duke e lidhur atë me debatin e sotëm politik. Përmes një postimi në Facebook, ai përshkruan atmosferën e asaj kohe, dominimin e diskursit nga PDK-ja dhe pritshmëritë për fitoren e saj, ndërkohë që LDK-ja e Ibrahim Rugovës kishte ende një bazë të fortë mbështetëse.
Gashi kujton një episod të veçantë nga shkolla e tij, kur një nxënës bërtiti kundër Rugovës ndërsa eskorta e tij kalonte pranë gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë. Ai përmend gjithashtu edhe një debat mes mësuesve të shkollës, ku profesori i matematikës nuk kishte besuar në fitore të thellë të LDK-së, por përfundimisht ishte sfiduar nga realiteti i zgjedhjeve.
Më poshtë, postimi i plotë i Shkëlzen Gashit:
Edhe një herë Ibrahim Rugova dhe Albin Kurti 😊
Në fund të tetorit të vitit 2000, nën organizimin e OSBE-së, u patën mbajtë zgjedhjet e para lokale në Kosovën e çlirume nga sundimi okupues serb.
Në fushatën për këto zgjedhje u pat debatu për gjithçka: për pavarësi, për integrim në strukturat euroatlantike… veç për problemet lokale nuk pat folë kurrkush.
Diskursin publik e dominojke PDK-ja sepse shumica dërrmuese e mediave ishin me PDK-në dhe tentojshin me kriju bindjen që fitues i padiskutueshëm i këtyne zgjedhjeve ka me qenë PDK-ja. Bërtitshin. U gërrvallshin. U patën bërlivë krejt.
Ditën e fundit të fushatës, Ibrahim Rugova me eskortën e tij lëshohet teposhtë prej Velanisë, kah gjimnazi ‘Sami Frashëri’, për me marrë pjesë në tubimin e madh të LDK-së në Stadionin e Prishtinës.
Në një klasë në gjimnazin ‘Sami Frashëri’ profesori i matematikës e shënon orën e mësimit në diltar. Në klasë janë gati 30 nxanësa të lagjeve e të shtresave të ndryshme të Prishtinës. Mostër reprezentative 😊
Në qat moment kalon Rugova me eskortën e tij e njani prej nxanësve shanë: “Ah, nanën e tradhëtarit!”
Këtë tipin që e kish sha Rugovën, për pak sa s’e kishin hangër të gjallë shokët e shoqet e klasës. Profesori i matematikës nuk kish ndërhy në këtë ‘debat’.
Mbas përfundimit të orës, profesori i matematikës ish kthye në sallë të profesorëve, shumica e të cilëve kishin qenë të bindun që ka me fitu PDK-ja, jo se ishin me PDK-në, por se kishin ra pre e propagandës së PDK-së, dhe ju thotë:
“Të dashtun kolegë, LDK-ja do t’i fitojë këto zgjedhje me mbi 50% të votave!”
Kurrkush s’i kish besu profesorit të matematikës!
Ai iu kish thanë kolegëve të vet: flasim të hënën!
Edhe unë po ju them: flasim të hënën më 10 shkurt 2025 😊