Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Shëndetësia

​Shkencëtarët eliminojnë me sukses HIV nga qelizat

Shkencëtarët thonë se kanë eliminuar me sukses HIV-in nga qelizat e infektuara duke përdorur teknologjinë e modifikimit të gjeneve CRISPR.

CRISPR pret ADN-në në nivel molekular si gërshërë dhe heq ose çaktivizon pjesët e padëshiruara.

Ilaçet ekzistuese të HIV-it mund ta ndalojnë virusin, por nuk mund ta eliminojnë atë, ndaj këto gjetje janë një hap i rëndësishëm përpara në trajtimin e kësaj sëmundjeje. Por kjo është vetëm faza fillestare e hulumtimit.

Ekspertët nga Universiteti i Amsterdamit vërejnë se ky studim tani për tani përfaqëson vetëm një koncept trajtimi dhe se do të jetë e nevojshme të pritet përpara se të zhvillohet një ilaç.

Ekipi nga Amsterdami nuk është i vetmi që përpiqet të mposht HIV-in me teknologjinë CRISPR. Kompania amerikane Excision BioTherapeutics deklaron se tre vullnetarë me HIV nuk kanë efekte anësore serioze nga trajtimi pas 48 javësh. Hulumtimi i tyre është ende në vazhdim.

Virusologu Jonathan Stoye nga Instituti Francis Crick në Londër beson se heqja e HIV nga të gjitha qelizat që mund ta përmbajnë atë është jashtëzakonisht sfiduese.

“Ka shqetësime në lidhje me efektet anësore të mundshme afatgjata. Unë dyshoj se do të kalojnë shumë vite përpara se terapia e bazuar në CRISPR të bëhet rutinë – edhe nëse supozohet se është efektive.”

HIV infekton dhe sulmon qelizat e sistemit imunitar dhe përdor makineritë e tyre për të bërë kopje të vetvetes. Edhe me trajtim efektiv, shumë qeliza të infektuara hyjnë në një gjendje pushimi ose latente, që do të thotë se ato ende përmbajnë material gjenetik HIV pa e prodhuar në mënyrë aktive virusin.

Shumica e njerëzve të infektuar kanë nevojë për terapi antiretrovirale gjatë gjithë jetës. Nëse ndalojnë marrjen e ilaçeve, virusi i fjetur mund të ri-zgjohet dhe të shkaktojë probleme. /BBC