Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shkodra e mbushur me ‘kanabis’, zbulohen 10 mijë bimë narkotike, asnjë në pranga

Një operacion anti-kanabis i shtrirë në territorin e qarkut të Shkodrës ka çuar në zbulimin e 5 parcelave me kanabis, ndërsa në total janë gjetur dhe asgjësuar 10 536 bimë dhe 728 fidanë kanabisi. Kontrollet janë ushtruar në zonat e pyllëzuara të Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Vaut të Dejës.

170 punonjës policie u angazhuan në total për kontrollin e këtyre zonave, ndërsa janë përdorur edhe 6 dronë të cilësisë së lartë, që kanë ndihmuar në fiksimin e imazheve për të zbuluar parcelat me drogë.

“Në këtë fazë të megaoperacionit u përfshinë Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, Komisariati i Policisë Shkodër, Komisariati i Policisë Malësi e Madhe, Komisariati i Policisë Vau i Dejës dhe 2 njësi të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Për kontrollet e territorit u angazhuan 30 grupe kontrolli (gjithsej 170 punonjës policie) dhe 6 dronë të cilësisë të lartë.

Gjatë kësaj faze të megaoperacionit, në Shkodër dhe në Malësi të Madhe, u gjetën dhe u asgjësuan 10 536 bimë dhe 728 fidanë cannabisi.

Konkretisht, në Dukagjin, Shalë dhe Postribë u gjetën dhe u asgjësuan 6600 bimë narkotike të mbjellura në tokë.

Në njësinë administrative Kelmend, Malësi e Madhe, u gjetën dhe u asgjësuan 3528 bimë cannabisi të mbjellura në tokë dhe 728 kubikë me fidanë narkotikë (ende të pambjellur në tokë).

Në Vaun e Dejës, u gjetën dhe u asgjësuan 408 bimë cannabisi të mbjellura në tokë.

Gjatë kësaj faze të megaoperacionit për asgjësimin e bimëve narkotike, grupet hetimore, gjatë këqyrjes së vendngjarjeve, kanë gjetur prova materiale dhe gjurmë që do të çojnë në identifikimin e autorëve të kultivimit dhe financuesve të kësaj veprimtarie kriminale” thuhet në njoftim.