Zëvendëskomandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Abdusamed Shkodra, thotë se kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Malë Gashi, ka negociuar me ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçlen, sa i përket kërkesave të zjarrfikësve.
Shkodra theksoi se negociatat për plotësimin e kërkesave kanë ecë në rrugën e duhur për të mirën e zjarrfikësve.
“Kryetari i Sindikatës ka pasur negociata me institucionet e Qeverisë, konkretisht me ministrin e Punëve të Brendshme. Negociatat sipas kryetarit, kanë ecë mirë. Kërkesat e zjarrfikësve janë për kushte më të mira edhe që të iu paguhen orët shtesë, të natës dhe të festave”, tha ai.
Zëvendëskomandanti i Brigadës së Zjarrfikësve tha se një zjarrfikës e ka të vështirë që ta kalojë muajin me pagë prej 500 eurove.
“Rrogat e zjarrfikësve nuk është sa kemi pritur ne. Një zjarrfikës e ka koeficientin pesë, që i bie t’i marrë diku deri në 500 euro. Është e vështirë që me këto mjete të ia dalin muajit për nevojat sociale”, shtoi ai.
Ndërkohë, sot është është bërë e ditur se zjarrfikësve u janë ndarë pagesat e orëve shtesë të vitit 2022. Pagesat e orëve shtesë figurojnë në listën e pagave, të cilat do të dalin nesër.
Zjarrfikësit javë më parë kanë protestuar lidhur me shtesat, që sipas tyre Qeveria e Kosovës duhet t’i përmbushë jo vetëm për vitin 2022, por edhe atë 2023.
Protesta e tyre ka qenë si shenjë pakënaqësie me kushtet e punës si dhe me gjendjen në përgjithësi.