Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot i ka komentuar zhvillimet politike në veriun e Kosovës.
Rama mes tjerash ka kritikuar ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, por edhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq.
Kryeministri shqiptar ka kërkuar lirimin e tre policëve të kidnapuar nga Serbia.
Ndër tjera sot Rama, ka propozuar që Kurti dhe Vuçiq, të mbyllen dhe të mos lejohet të dalin derisa të përfundojnë bashkëbisedimin e t’i trajtojnë të gjitha pikat.
“Dy liderët duhet të merren dhe të mbyllen brenda në një konferencë, pa të drejtë dalje deri kur të përfundoj bashkëbisedimi, që të trajtohen ato pika, që askush nuk i kundërshton, por në të njëjtën kohë secili ia hedh tjetrit fajin pse nuk zbatohen, sepse s’ka vullnet. Ky është fakti”, ka theksuar Rama në një konferencë për media të mbajtur të premten.
Tutje sot Rama ka bërë të ditur se i është drejtuar me një letër presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, lidhur me shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
“Pardje i kam nisur një letër të dytë presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit të Këshilit Evropian, Charles Michel lidhur me domosdoshmërinë e e një shtyse të re konkrete, si kumbarët e planit franko-gjerman, natyrisht me mbështetjen e SHBA-së që plani franko-gjerman të zbatohet domosdo”, ka thënë Rama.
“Pa u kthyer në shtëpi ata tre policë, nuk ka asnjë hapësirë për të lëvizur me planin e deeskalimit”, ka thënë Rama.
Ndër të tjera, Rama ka thënë se degradimi i situatës në veri si rezultat i ndeshjes së politikave të brendshme të dy palëve po e rrit me orë klimën e tensionit duke rrezikuar një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë, për të cilën ka thënë se do të ishte një katastrofë.
“Në kushte kur degradimi i situatës në veri si rezultat i ndeshjes së politikave të brendshme të dy palëve po e rrit me orë klimën e tensionit duke rrezikuar një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë, cka do të ishte një katastrofë në mes cilës do përfshihej pastaj KFOR-i. Por përplasja e cila edhe sikur tre orë të zgjaste, jo më tre ditë apo tre javë, do të rezulonte fatale për gjithcka që është bërë këto vite, përpjekje, nisma, në Ballkanin Perëndimor nën ombrellën e procesit historik të Berlinit, një kthim mbrapa dramatik për gjithë Rajonin, që nuk mund të bëhet peng i lojës politike për elektorat as atyre në Kosovë e as atyre në Serbi”, ka vijuar Rama.
“Prandaj është shumë e rëndësishme që ta kuptojmë të tërë që nga ata që flasin për vëllezërit e vogël e mëdhenj, që kërkojnë arsye për të shtyrë zvarrë këtë proces se interesi ynë kombëtar, kërcënohet nga kjo situatë dhe ky rajon nuk është as i Albinit e as i Aleksandrit. Ky rajon ka vuajtur boll nga nacionalistët, nga folkloristët, përplasjet e vazhdueshme të cilat mund të kenë pasur justifikime. Kjo situatë i shkon për shtat vetëm një fuqie, që është Rusia, nuk i shkon për shtat asnjë tjetri. Nga kjo përplasje, as Evropa nuk fiton, fiton vetëm Rusia”, ka thënë ndër tjera kryeministri Rama.
Mirëpo, kryeministri Rama i ka reaguar menjëherë profesori dhe analisti politik Enver Bytyçi.
Profesori thotë se Rama sot ishte i shqetësuar se mund të ketë luftë në veri të Kosovës.
“Sot kryeministri i Shqipërisë është marrë sërish me krizën në veri të Kosovës. Ndonëse para një jave ishte i bindur se në këtë rajon nuk do të kishte luftë, sepse Serbia nuk do ishte e çmendur të luftonte me KFOR-in (NATO-n), sot dukej i shqetësuar se mund të ketë luftë në veri”, thotë profesori.
Bytyçi pohon se, nëse ka luftë në veri të Kosovës, shkaktari kryesor është Aleksandër Vuçiq, dhe ndihmësi më i madh i tij është Edi Rama.
“Ështe interesant të shohësh se si ai kalon brenda një periudhe shumë të shkurter nga ekstremi në ekstrem. Por nuk është fjala për këtë. Nëse ka luftë në veri të Kosovës, shkaktari kryesor i kësaj lufte është Aleksandër Vuçiq dhe ndihmësi më i afërt i tij është vetë Edi Rama!”, potencon ai.
Profesori tregon pse e ka këtë mendim?
“Sepse Edi Rama u bë aktori dhe faktori kryesor për rehabilitimin e një krimineli, siç është presidenti i Serbisë. Ndërkohë Albin Kurtit i duhej dhe do t’i duhet ende që të dëshmojë të kundërtën, të zbulojë fytyrën e vërtetë të Aleksandër Vuçiq. Kjo mund të bëhet duke rivendikuar drejtësi, pra duke iu kundërvënë disi edhe me forcë politikave kolonizuese të Serbisë në Kosovë”, shton tutje ai.
Sipas profesorit, Kurti po mundohet të çontojë diçka të gabuar që e ka salduar Edi Rama.
“Pra, kryeministri i Kosovës po përpiqet të çmontojë diçka të gabuar të salduar nga homologu i tij, po shqiptar, Edi Rama! Po përpiqet ta bindë edhe kryeministrin e Shqipërisë me fakte e vepra, se “vëllai i tij binjak”, Vuçiq, nuk është engjelli ballkanik dhe kryeministri i Kosovës gjithashtu nuk është djalli i këtij rajoni. Djajt gjenden në Beograd e Banja Lukë. Ndërkaq Rama nuk ia përton të dalldiset me ta si në party!”, përfundon profesori Enver Bytyçi.