14 persona kanë mbetur të lënduar pas shpërthimit të bombolës së gazit që ndodhi sonte në një shtëpi në fshatin Kçiq në Mitrovicë. 13 pacientë janë dërguar për trajtim në QKUK, ku katër prej tyre tani janë duke u operuar.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu. Ai tha se disa pacientët kanë djegie në gjymtyrë të ndryshme të trupit, përfshirë, fytyrë, duar, këmbë.
Në lidhje me rastin ka folur kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili tha se të lënduarit, në bazë të informatave janë nga e njëjta familje.
“Isha edhe brenda. Sipas informatave ka prej tyre që e kanë shkallën e lëndimit më të madhe, e disa më të vogël. Uroj që të gjithë të jenë mirë e të mos kenë rrezik për jetë e iu uroj shërim të shpejt dhe shfrytëzoj rastin t’i falënderoj mjekët për një punë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm”, tha Hamza për Klan Kosovën.
Ai tutje tha se nga të lënduarit janë edhe disa familjarë nga diaspora.