Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar për rastin në Kçiq të Mitrovicës, ku 13 persona morën plagë si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit.
Haradinaj në një postim në Facebook u ka uruar shërim të shpejtë personave të lënduar.
“Lutjet tona janë për të prekurit dhe të plagosurit e shpërthimit të një bombole gazi që ndodhi sot në Kçiq të Mitrovicës. Ndajmë shqetësimin me familjarët dhe i urojmë shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve! Qoftë ky rasti i fundit”, ka thënë Haradinaj.
13 persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në Kçiq të Mitrovicës. Ata janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, prej nga janë transferuar në QKUK me djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, katër nga të cilët janë duke u operuar në sallën e operacionit.