Nga shpërthimi në fshatin Kçiq të Mitrovicës kanë mbetur të lënduar 15 persona, 14 prej të cilëve janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në lidhje me këtë, kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka thënë se të lënduarit, në bazë të informatave janë nga e njëjta familje.
“Isha edhe brenda. Sipas informatave ka prej tyre që e kanë shkallën e lëndimit më të madhe, e disa më të vogël. Uroj që të gjithë të jenë mirë e të mos kenë rrezik për jetë e iu uroj shërim të shpejt dhe shfrytëzoj rastin t’i falënderoj mjekët për një punë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm”, ka deklaruar Hamza për Klan Kosovën.
Ai tutje ka shtuar se nga të lënduarit janë edhe disa familjarë nga diaspora, ndërsa media merr vesh se një nga të lënduarit ka djegie në fytyrë dhe duar.
Të lënduarit në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës i ka vizituar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.