Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shpërthimi në Lushnje, flet mjeku: Një i plagosur me hematomë në kokë, deputeti ka cifla metalike në trup

Një prej të plagosurve nga shpërthimi në Lushnje ndodhet në gjendje më kritike pasi ka një hematomë të madhe në pjesën e kokës.

Shefi i Urgjencës së Traumës, Gjovalin Bushi ka dhënë informacion, duke thënë se punëtori 41-vjeçar është futur aktualisht në sallën e operacionit.

“Pacienti i parë ka ardhur rreth orës 5 e gjysmë, kishte dëmtime në kokë. Kishte hematomë masive, ky pacient është në sallë duke u trajtuar. Bëhet fjalë për 41-vjeçarin”, u shpreh mjeku.

Ai dha edhe informacion për deputetin Bujar Çela, duke thënë se ka plagë në pjesën e barkut, por ndodhet në gjendje të qëndrueshme. Çela është futur sërish në sallën e operacionit, pasi ka në trup një numër të madh copëzash metalike, për shkak të shpërthimit. Një prej copëzave metalike e ka prekur atë në pjesën e mushkërisë.

“I dyti është deputeti, ka patur disa dëmtime, e riekzaminuam. Ka dëmtime te barku dhe në abdome, ka disa cifla në pjesë të brendshme. Për deputetin do të jetë ndërhyrje që do të zgjasë në kohë sepse ka shumë cifla metalike në trup”, njoftoi mjeku i Spitalit Ushtarak.

Lidhur me situatën e rëndë, foli në “Top News” edhe deputeti i Lushnjes, Saimir Korreshi, duke e cilësuar si “dramatike” situatën.

“Situata është dramatike, në fillim humbi jetën i ati, më pas djali gjatë transportimit në spital. Çela ka pasur plagë, djegie, dhe një plagë pranë kofshës. Ka qenë tre orë në ndërhyrje kirurgjikale. Shpresojmë të mos ketë komplikacione”, u shpreh Korreshi.