Shqipëria dhe Serbia po bëhen bashkë në futboll?!
Të dyja së bashku kanë kërkuar të organizojnë Kampionatin Evropian për U21 në vitin 2027.
Kërkesa e e tyre madje është dorëzuar në UEFA, të paktën kështu ka bërë të ditur në një storje gazetari Blendi Fevziu!
Veprimtari nga Amerika, Ramazan Bekteshi, ka reaguar pas kësaj duke thënë se këtë tradhti kombëtare nuk e priste askush.
Sipas tij, kjo u bë me bekimin e Ramës duke shtuar se “ky veprim djallëzor mund të sjell konfrontime të reja, sepse Serbia ende s’i ka kërkuar falje Kosovës për të gjithë fatkeqësitë shekullore, sidomos këto të fundit që janë ende të freskëta”.
Shkrimi pa ndërhyrje:
Duka një kalë Troje me thundra në Tiranë e me kokë në Beograd
Armando Duka, president i Federatës Shqiptare të Futbollit këto dite ua shpërndan lajmin më të hidhur prej kohësh shqiptareve e posaçërisht atyre jashtë kufijve. Lajmi erdhi si një rrëfe nga qielli i kthjelltë që u prit me indinjatë të thellë se Shqipëria “do t’i bashkonte përpjekjet e FSHF me homologen e Serbisë” për Kampionatin Evropian U-21 më 2027.
Askush s’e priste këtë tradhti kombëtare, askush, kur dihet se mozaiku i lojtarëve dhe skeleti kombëtares sonë përbehet nga lojtarët e të gjithë trojeve shqiptare, derisa “Plisat” janë gjaku më i vrullshëm në damarët shqiptarë që na mbajnë të bashkuar edhe kur Rama kakarisë e përqafohet me Vuçiqin, edhe kur thotë se veriu i Kosovës është tokë e askujt.
Sot Duka veproi posi Rama dhe me bekimin e tij.
Duka s’i njeh kufijtë tanë shqiptar, apo edhe më keq, s’do t’i pranoj. A di Duka se në Koshare ndodhi epopeja e luftës çlirimtarë për pavarësi, sepse, aty u thye kufiri shqiptaro-shqiptar. A di Duka se nga ajo lufte heroike Shqipëria nuk kufizohet më me Serbinë. Pse Duka zgjodhi që Serbia të kaloj mbi trupin me plot plagë të Kosovës që të luaj futboll, pa u shëruar ende ato, kur Serbisë ende i pengojnë gjërat më të natyrshme, si dy shuplakat kur shqiptarët demonstrojnë me pasion simbolin e tyre kombëtar e që ironikisht serbet këtë e quajnë “Shqipëria e madhe.”
Pse Duka nuk e mori parasysh Kosovën për këtë kompeticion ndërkombëtar së bashku me njërin apo dy fqinjët e saj, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut për shkaqe praktike dhe lidhjes tokësore. Por, ja që Duka nga Tirana vendosi që të mbaj “lidhjet shpirtërore” me Serbinë ashtu si ka ndodh shpeshherë gjatë historisë.
Kur Kosova u caktua nikoqire e Lojërave Olimpike Mesdhetare 2030, që ishte një fitore edhe për Shqipërinë, sepse Kosova pa hezitim e përfshiu vëllain e vet, ku do të defilojnë 3 kontinente, 26 shtete dhe mbi 5000 sportistë. Por, shteti shqiptar me bekimin e Ramës dhe për hir të lidhjeve vëllazërore me Beogradin e shkeli Kosovën.
Pra, Duka u shpreh se “shanset që në stadiumet shqiptare të shohim emocionet e magjisë së futbollit për Europianin 2027”, Kosova s’i beson asaj magjie që i beson Duka dhe bosi i tij. Ky veprim djallëzor mund të sjell konfrontime të reja, sepse Serbia ende s’i ka kërkuar falje Kosovës për të gjithë fatkeqësitë shekullore, sidomos këto të fundit që janë ende të freskëta.
Kosova ia dha namin Dukës dhe Shqipërinë, e dërgoi dy herë në kampionatin evropian, për herë të parë në histori, dhe kjo u bë me pasion të zjarrtë vëllazëror, duke u bashkuar për herë të parë shqiptarët në sport për t’ia ngrit famën Shqipërisë. Por tani, çdo tu thotë shqiptareve Duka, lojtarëve dhe “Plisave”, që e bënë të famshëm e të pasur. Por ja, Duka borxhin lojtarëve dhe “Plisave” ua kthen me një formë tinëzare, dhe për këtë do duhej të tërhiqet përpara se UEFA të sjell vendimin.
Shqipëria e Ramës, shqiptarëve u shkaktoi shumë fatkeqësi e Kosovës në veçanti, duke nisur nga bashkëpunimi i Ramës me Vuçiqin për këmbim tokash, Ballkanin e hapur, në muzikë me Bregoviqin që për pak sa s’shkaktoi luftë qytetare në Korçë. Tani, ai e përfshin edhe sportin më të popullarizuar në planet me një vendim skandaloz e antikombëtar, që krijoi një stuhi mllefesh mbi qiejt ku jetojnë shqiptarët, edhe pse vendimi i UEFA-s s’është përfundimtar.
Sa më shumë që Rama i afrohet Vuçiqit, aq më shumë Serbia tregon agresivitet ndaj Kosovës si në arenën ndërkombëtare e posaçërisht në veri të Kosovës, si ai agresioni paramilitar i Banjskës që Rama e relativizoi.
Duka, kësaj radhe nuk dhuroi spektakël kuq-e-zi por një tronditje me helm zi e kuq. Ai përhapi zjarrin e mllefeve, shkaktoi një çarje të madhe të shqiptarëve, mu aty, ku ata ishin më të fortë e më të bashkuar.