
Po e viziton Tiranën për herë të parë si përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Siguri.
Kaja Kallas në kryeqytetin shqiptar u prit në takime nga krerët më të lartë shtetëror.
Në konferencë të përbashkët për media, kryeministri shqiptar, Edi Rama, u shpreh i lumtur për vizitën e Kallas ndërsa shprehu ambicien që negociatat mes Shqipërisë dhe BE-së të mbyllen në vitin 2027.
“Ne kemi një plan të dakorduar me BE-në për të mbyllur negociatat në vitin 2027, që do të thotë se në momentin që mbyllen negociatat, Komisioni i rekomandon vendeve anëtare anëtarësimin”, tha Rama.
Në anën tjetër, diplomatja evropiane premtoi mbështetje për Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së, ndërkaq e sheh si të mundshëm objektivin e Shqipërisë që të bëhet pjesë e familjes evropiane në vitin 2030.
“Së pari, 2030 është një objektiv realist, por është i realizueshëm nëse ndërmarrim hapat e duhur gjatë rrugës. Shqipëria, me reformat që duhen bërë dhe ato që janë bërë, duhet të fokusohet në sundimin e ligjit, i cili është thelbësor për Bashkimin Europian dhe begatinë e një vendi. Nëse investitorët kanë besim te sistemi juaj ligjor, po. Është realiste nëse të gjithë bëjnë detyrat e shtëpisë”, tha Kallas.
Shefja e diplomacisë evropianë edhe nga Tirana nënvizoi sërish rëndësinë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ky është një proces i vazhdueshëm, ne kemi Përfaqësuesin e ri Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe do të ulemi me të edhe për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Ajo që është e rëndësishme për ne është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse pa këtë asnjëra prej tyre nuk mund të vazhdojë në rrugën e tyre evropiane”, tha ajo.
Gjatë vizitës së Kallas në Tiranë, u nënshkrua një marrëveshje në vlerë prej 90 milionë eurosh për financimin e projektit strategjik të hekurudhës Durrës – Rrogozhinë. /teve1.info/