Artan Hoxha ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku u diskutua për rënien dramatike të euros dhe arsyet që e kanë pordhuar këtë situatë.
Hoxha tha se shifrat e konvertimit të euros në vendin tonë, që brenda tetë viteve janë rritur nga 5 miliardë euro në 12 miliardë euro, lidhet me zgjerimin e narkotrafikut.
Hoxha tha se shqetësimi më i madh i trafikantëve është gjetja e sektorëve ku do të pastrojnë paratë, kryesisht ndërtimi.
“Ka një të dhënë shumë interesante te tabela e këmbimit valuator ne euro. Në 2010 ishte qeveria Berisha, është 5.5 miliardë euro. Deri në 2020 kur fillon Covid, është 6.3 miliardë euro. Pra ka lëvizur vetëm me 800 milionë euro. Në vitin 2023 ka vajtur në 12 miliardë euro.
Tregu më i pasur i BE për narkotrafikun, e ka rritur fuqinë blerëse 2.5 herë. Gjatë kësaj kohe, përveç episodeve që publikojmë, në të gjithë raportet ndërkombëatre, krimi i organizuar e ka rritur ndjeshëm peshën në trafikun e kokainës, duke u bërë pikë referimi, që nis nga burimi, duke marrë nën kontroll edhe tregun fundor, shpërndarja në BE. Janë një sërë të dhënash, mund të jenë koiçidencë, por përputhen me realitetin në terren.
Ne kemi patur një problem me kompanitë e mëdha. Problemi i narkotrafikut është se ku do të çojë paratë, përpiqen të mos i kenë të magazinuara. Një nga personat e ekstraduar nga Emiratet, dyshohet që kishte shkuar pasuria e tij në një milliard dollarë! Prandaj u kërkua me insistim që ky person të kthehej në Europë.
Mundohen të gjejnë kanale nëpërmjet atyre që janë në pushtet. Një pjesë e mirë e parave u kamufluan si investim brenda kompanive. Ne flasim për kullat, ja pra nga vijnë paratë. Atyre u duhet emër, mundësisht me historik të gjatë, financimin e gjejnë vetë. Prandaj sot nuk na përputhet ajo që shohim me sy me atë që dëgjojmë me veshë. Prandaj jemi përballë këtyre shifrave.
Vendi sot është në një situatë ku po të shohësh shifrat, del se ka rritje ekonomike, por rrogat nuk rriten, prodhimi nuk rritet. Çfarë prodhojmë? Nga vijnë lekët në këtë vend? Përfituesit më të mëdhenj zyrtarë, janë bankat që kanë rritur fitimin, oligarkët që kontrollojnë importin, sepse ne vetëm konsumojmë dhe nuk prodhojmë asgjë.
Pyetja është, në një numër kaq të kufizuar duarsh që kemi lënë ekonominë, derisa do ta mbajmë kështu?
Në pesë vite, nga gjysme milionë euro pagesë për vrasje, deri në pesë milionë euro. Janë shifra të frikshme”, tha Hoxha.