Deputeti holandez i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, beson se diplomacia parandaluese garanton stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ofron mundësi për reagim ndaj secilës krizë eventuale.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Reuten – i cili është edhe anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian – e ka komentuar thirrjen e dhjetëra deputetëve amerikanë, britanikë dhe atyre të bllokut evropian që Perëndimi të ketë qasje të re ndaj Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas tyre, politikat aktuale nuk po funksionojnë.
Ai beson se punë më e madhe duhet të bëhet në qasjen ndaj Serbisë.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur për këtë iniciativë, sepse jo vetëm që është thirrje përreth Atlantikut – nga deputetë prej 13 vendeve të ndryshme me nismë të Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Gjermanisë – por është edhe thirrje e thënë thjeshtë dhe qartë. Gjithçka që jemi duke kërkuar është një qasje më e balancuar dhe më proporcionale. Po kërkojmë dy gjëra: rikthim të negociatave për normalizim, dhe ta stabilizojmë rajonin përmes një qasjeje të qartë e të koordinuar dhe jo ashtu siç e kemi parë në muajt e fundit”, tha Reuten.
Tutje ai theksoi se duhet dhënë fund qasjes aktuale dhe kjo ka të bëjë kryesisht me qasjen me të butë ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas Reuten, është duke ndikuar jo vetëm në punët e Bosnjë e Hercegovinës, duke e mbështetur presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, por është edhe pengesë për përparim në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila është shumë e nevojshme.
“Duhet të jemi shumë të qartë nga ajo që kërkojmë nga partnerët në gjithë rajonin. Bashkimi Evropian duhet ta kuptojë që stabiliteti i këtij rajoni është kyç për stabilitetin e gjithë kontinentit. Ne nuk mund t’i tolerojmë vetes më shumë gabime dhe një gjë që e propozojmë si deputetë është diplomacia parandaluese”, ka shtuar ai.
Ai tutje tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin tre hapa të shpejtë e të vështirë.
“Duhet lënë anash vetëkënaqësinë dhe qasjen e butë, dhe mendësinë e të mospërgjigjurit qartazi ndaj marrëveshjeve të kaluara. E dyta, duhet të ketë koordinim për dallim prej muajve të fundit që kemi parë tone dhe qëndrime të ndryshme sa i përket situatës mes Kosovës dhe Serbisë dhe ngjarjeve në Bosnjë e Hercegovinë. Së treti, duhet të jemi më të vendosur në atë se cila është rruga përpara. Kjo do të thotë se shtetet duhet të marrin vendime të vështira. Serbia duhet të marrë vendim të qartë për Evropën, në vend të miqësisë së ngrohtë me Rusinë e [presidentit rus, Vladimir] Putinit, por kjo nënkupton që edhe politikanët në Bosnjë e Hercegovinë duhet t’i caktojnë prioritetet që janë të domosdoshme për integrim në familjet evropiane”, ka nënvizuar Reuten.