Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shtimi i inspektorëve të punës rrit numrin e inspektimeve

 
   

Në dy vitet e fundit në Inspektoratin Qendror të Punës vlerësohet se është bërë një punë e suksesshme.

Nga dy mijë e 400 inspektime që kanë qenë në kompani të ndryshme, në vitin 2024 është arritur që brenda vitit të realizohen 12 mijë inspektime.

Ushtruesi i Detyrës së Kryeinspektorit, Rizah Plakolli thotë për tëvë1 se në këtë ka ndikuar edhe shtimi i numrit të inspektorëve, por që nuk është i mjaftueshëm.

“Jo nuk janë të mjaftueshëm, ne kemi zhvilluar procedura të rekrutimit për inspektorë të rinj, për 63 inspektorë. Por me vendim të Këshillit është bërë anulimi i konkursit ne jemi kanë të detyrum me zbatu vendimin e Këshillit”, tha Plakolli.

Ai tregon edhe për arsyet që ish-kryeinspektori për rajonin e Mitrovicës, Nexhat Fazliu është suspenduar nga pozita e tij.

Sipas tij i njëjti kishte qenë më herët i pezulluar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për çka ishte rikthyer në punë.

“Në momentin e zbatimit të vendimit të Këshillit ne si Inspektorat Qendror i Punës, z.Fazliu është kthyer në vendin e punës. Sa ka qëndruar ai në vendin e punës ka urdhëruar inspektorët për mbylljen e zyrës në Zveçan e cila është hapë vitin e kaluar nga z.Nikçi, ky ka bërë një veprim të jashtëligjshëm me këtë rast pa koordinim me Drejtorinë Qendrore”, tha ai.

Po ashtu, Plakolli thekson se deri te ky vendim ka ardhur edhe për shkak se ndaj të njëjtit është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

“Por ne prapë si institucion kemi kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe në Mitrovicë se ndaj z.Fazliu a ka ndonjë inicim të procedurës penale. Prokuroria Themelore në Mitrovicë na ka dhënë informacione të detajuara se ndaj z.Fazliu është ngritur aktakuzë për keqpërdorim”, tha Plakolli.

Gjithashtu, u bë e ditur se me shtimin e numrit të inspektorëve është arritur të ulet edhe numri i vdekjeve, ku në gjysmën e parë të vitit 2024 nuk është regjistruar asnjë vdekje në vendin e punës.