Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vazhdon të prezantojë dëshmi të lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që ka kryer vrasjen e policit dhe aksionin kundër kushtetues.
Sveçla përmes një shkrimi në Facebook, ka shtuar një dokument ku sipas tij, është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit.
Ai ka shtuar se atë që e kanë deklaruar, janë duke e mbështetur me fakte e dokumente të pakontestueshme.
Postimi i plotë:
Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës.
Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit.
Atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi tash po e mbështesim edhe me fakte e dokumente të pakontestueshme se shteti i Serbisë mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht, logjistikisht.