Anulimi i mbledhjes së dy qeverive asaj të Kosovës dhe Shqipërisë që ishte planifikuar të mbahej më 14 qershor, kishte nxitur debate në distancë mes Kurtit dhe Ramës.
Që nga ajo kohë të dy kryeministrat kishin shmangur takimet mes njëri-tjetrit.
E pas gjithë kësaj zhurme që raportet Kosovë-Shqipëri mund të jenë të tensionuara, të dy kryeministrat u panë tek i shtrënguan dorën njëri-tjetrit në darkën që u mbajt të hënën në Lubjanë të Sllovenisë.
Ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ai i cili publikoi disa fotografi nga kjo darkë ku edhe shihej përshëndetja e tij me kryeministrin Albin Kurti, dhe shtrëngimi i duarve duke pasuar me të qeshura.
Takimi u zhvillua në darkën e mikpritjes së kryeministrit slloven, Robert Golob, në vigjilje të Forumit Strategjik të Bledit që do të mbahet sot.
Kurti në darkën e punës së kryeministrit të Sllovenisë ka thënë se respekti ndaj minoriteteve dhe njohja reciproke parakushte për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Mesazhe inkurajuese nga Kryeministri i Sllovenisë Robert Golob mbi zgjerimin e BE-së dhe mundësitë për Ballkanin Perëndimor. Unë i bëra jehonë thirrjes për një qasje të bazuar në vlera ndaj anëtarësimit në BE, të fokusuar në respektimin e pakicave dhe me njohjen reciproke si parakusht”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.
Prezent në këtë darkë ishte edhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.