Rritja e çmimeve nuk ka të ndalur sidomos te prodhimet e qumështit, ndërsa paralajmërohen edhe rritje të reja në vjeshtë. Qytetarët në vazhdimësi ankohen se po përballen me çmime të rritura në dyqane.
I pyetur nëse janë planifikuar masa të reja për të ndalur hovin e rritjes së djathit, kaçkavallit dhe prodhimeve të tjera të qumështit, zv/kryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi thotë se po analizohet situata dhe se nuk është e vërtetë se prodhuesit po rrisin çmimet, por se kjo ndodh për shkak të presionit të tregtarëve.
“Po bëhen analizat e fundit. Ajo që e dimë është se prodhimet, përkatësisht ato të qumështit nuk shtrenjtohen nga ana e prodhuesve, përkatësisht ata janë vënë në situatë që të bëjnë rritje për një përqindje të caktuar për shkak të presionit që e kanë nga tregtarët. Sapo t’i kemi të gjitha informacionet konsideroj se do të veprojmë në mënyrë të duhur qoftë përmes ngrirjes së çmimeve, qoftë përmes me masa të tjera, gjithçka që është e lejuar në bazë të ligjit do të bëhet”, deklaroi Fatmir Bytyqi, zv/kryeministër për çështje ekonomike./eo