Seanca e rigjykimit, e paraparë të mbahej të premten në Gjykatën Themelore në Pejë, ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, u shty për shkak të mungesës së avokatit Besnik Berisha, pasi që ky i fundit është arrestuar një ditë më parë.
Këtë e bëri të ditur, kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjyqtarja Husaj-Rugova, fillimisht konstatoi mungesën e palës së dëmtuar-Albesa Cacaj dhe përfaqësuesit të tyre, avokatit Berat Tmava, i cili me parashtresë kishte njoftuar gjykatën se nuk do marrë pjesë në seancë për arsyet e pakënaqshmërive të tyre ndaj gjykatës.
Ndërsa, e dëmtuara Albesa Cacaj edhe pse e ftuar në mënyrë të rregullt nuk e kishte arsyetuar mungesën.
Tutje, avokatja e Gogajt me autorizim, Erina Berisha para seancës kishte njoftuar gjykatën gojarisht se nuk mund të jetë prezente në seancë, për shkak se është në pushim të lindjes.
Ndërsa, në seancë nuk ishte paraqitur as avokati me autorizim zëvendësues i Gogajt, Besnik Berisha, pasi që ishte bërë e ditur që i njëjti gjendet në ndalim nga Policia në Ferizaj.
Andaj në mungesë të kushteve, seanca e sotme është shtyrë, për të vazhduar sipas agjendës së caktuar më 28 korrik 2023.
Ndryshe, Gjykata e Apelit më 23 mars 2023 kishte shqyrtuar ankesat e mbrojtësit të Shaban Gogajt, avokatit Besnik Berisha, palës së dëmtuar, avokatit Berat Tmava dhe ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Kurse, pas shqyrtimit të ankesave, Apeli më 23 mars 2023 e ka kthyer lëndën në rigjykim.
Ndërkaq më 14 tetor 2022 Gjykata Themelore në Pejë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, duke e dënuar kështu me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia të Agonis Tetajt.