Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shuhen zjarret në Prevallë

 
   

Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur të mërkurën se janë shuar zjarret në Prevallë, në jug të Kosovës, me ndërhyrjen e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës pati thënë një ditë më parë që zjarret nuk kanë përbërë rrezik për jetën e banorëve.

Sipas një postimi në Facebook të Komunës së Prizrenit, zjarri është shuar me ujin që është hedhur prej lart, dhe nuk ka shenja që situata do të mund të përsritet.

Kosova është përballur në ditët e fundit me temperature të larta – mbi 35 gradë – ashtu sikurse edhe rajone tjera të Ballkanit Perëndimor.

Prevalla është një vendpushim skijimi dhe fshat turistik, i cili është afërsisht 30 kilometra larg Prizrenit, dhe rreth dymbëdhjetë kilometra nga Brezovica, qendra më e madhe e skijimit në Kosovë.

Javën e kaluar është raportuar për zjarre edhe në Parkun Kombëtar të Sharrit, por edhe ato janë shuar.

Për zjarre është raportuar në korrik dhe gusht edhe në vendet fqinje të Kosovës, Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut.