Diaspora e Kosovës edhe këtë vit ka vazhduar të jetë kontribuese për Kosovën. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për gjashtë mujorin e parë të këtij viti, ka rritje të dërgesave nga dispora.
Besnik Kada nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), tha për RTKlive, se gjatë periudhës janar-qershor 2023, shuma e remitancave është 632 milionë e 900 mijë euro.
“Krahasuar me 555 milionë e 400 mijë euro në vitin 2022, pra kemi një rritje prej 77.5 milionë euro më shumë, krahasuar me gjashtë mujorin e njëjtë të vitit paraprak”, tha Kada.
Ai bëri me dije se shteti nga i cili më së shumti janë regjistruar remitancat është Gjermania.
“Në tremujorin e parë të këtij viti nga Gjermania kanë ardhur 38.8 milionë Euro, në ndërkohë vitin e kaluar, pra gjatë 12 muajve nga Gjermania kanë ardhur 161.5 milionë euro. Në ndërkohë nga Zvicra në tremujorin e parë kanë ardhur 17.2 milionë, pasuar nga SHBA-të me 7.6 milionë euro, Austria dhe Italia me nga 4.8 milionë secila e kështu me radhë”, deklaroi ai.
Kurse njohësi i ekonomisë, Safet Gerxhaliu, tha se me të dhënat e fundit nga BQK-ja, ku shihet se ka rritje të remitancave edhe njëherë dëshmohet se po vazhdon edhe më tutje solidarizimi i diasporës me Kosovën.
“Kur shohim se diaspora ka dërguar ka dërguar, mbi 77 milionë euro më shumë këtë vit, se në vitin 2022, është dëshmi se diaspora është njëra ndër shtyllat kryesore të përkrahjes së Kosovës”, tha ai për RTKlive.
Gërxhaliu kërkoi që të shikohet mundësia që këto mjete të orientohen në zhvillim dhe të mos mbeten vetëm për konsum, por të jenë të kanalizuara në shërbim të zhvillimit dhe rimëkëmbjes ekonomike të Kosovës.
Ai vlerësoi se duhet të ketë më shmuë fokus ndaj diasporës që ajo të mos mbetet vetëm si mjet për dërgimin e parave.