Serbia u armatos si shtet dhe u radikalizua, u rusizua dhe u militarizua si shoqëri. Serbia nuk i ka ndërprerë lidhjet dhe bashkëpunimin e saj të thellë me Rusinë, as nuk do ta bëjë këtë, dhe është në gjendje të përfitojë nga një plejadë e favorshme gjeopolitike në të cilën Rusia do të ishte në një pozicion për të mbështetur aventurat e ardhshme secesioniste pan-serbe, madje edhe të armatosura në rajon, thotë Sërgjan Shushnica, avokat, kulturolog dhe publicist nga Banja Luka.
Susnjica si njohës i shkëlqyeshëm i çështjeve politike dhe të sigurisë, veçanërisht i ndikimeve të jashtme malinje në rajon, merret me hulumtime kulturore për tema boshnjake dhe ballkanike, shkrim dhe aktivizëm shoqëror kundër kulturës së harresës, revizionizmit historik, nacionalizmit dhe fashizmit.
Susnjica thekson se Serbia, në raport me fqinjët e saj, veçanërisht me Kosovën, vepron nga pozita e dhunës dhe provokimit konstant të krizave, dhe më pas u ofrohet akterëve perëndimorë si një ndërmjetës dhe akter gjoja konstruktiv dhe paqësor.
“Është pozicion i shantazhuesit, jo i paqebërësit. Analistët dhe akterët që barazojnë politikën e Beogradit dhe Prishtinës, dhe barazojnë nacionalizmat, janë të ndikuar edhe nga historia edhe nga politika dhe nuk duan të shohin se të gjitha krizat e brendshme në Kosovë e kanë origjinën nga Beogradi”.
Beogradi, thekson ai, thjesht ka rrëmbyer jetën e serbëve të Kosovës, i ka izoluar ata nga normaliteti, duke përhapur frikë ekzistenciale, psikozë lufte dhe një ndjenjë vulnerabiliteti mes tyre.
“Ata janë pronë e Beogradit politik, i ka bërë skllevër të tij politikë, siç ka bërë dikur me serbët e Dalmacisë, Sllavonisë, Banisë dhe sot punon me serbët e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Në 10 vitet e fundit, nënvizon bashkëbiseduesi i Geopost, Beogradi ka zhvilluar një kapacitet të fortë shantazhi ndaj Perëndimit.
“Ai forcoi sigurinë, propagandën dhe praninë ekonomike ruse në Serbi dhe Republika Srpska dhe mbështet regjimin pro-rus të Milorad Dodik në aktivitetet e tij antikushtetuese, secesioniste dhe parashtetërore”.
Sipas Shushnicës, është e qartë për të gjithë në Perëndim, por askush nuk do të thotë me zë të lartë se Beogradi nuk po vepron me mirëbesim në procesin e Brukselit.
I pyetur pse është kështu, ai thotë se “Beogradi asnjëherë nuk ka qenë i gatshëm, as tani dhe as nuk do të jetë i gatshëm ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur. Serbia nuk dëshiron normalizim esencial, por përpiqet të marrë leva efektive të ndikimit në politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës në kuadër të procesit të Brukselit, meqë nuk mund t’i shmanget, ose më saktë, mjetet për të vazhduar ndikimin e saj malinj dhe destabilizues në kushtet e brendshme politike të atij vendi.
Ajo që Beogradi dëshiron fshehurazi, ndërsa pretendon në mënyrë patetike të jetë një negociator i drejtë, është një Republika Srpska e re dhe një mekanizëm i ri kontrolli mbi Kosovën, por edhe një mekanizëm i ri shantazhi ndaj Perëndimit, thotë Shushnica.
Serbia, pretendon ai, ka arritur të armatoset aq shumë sa është e paprekshme për NATO-n, më saktë duke marrë sisteme kundërajrore kineze dhe ruse, Beogradi ka ngritur pragun e tolerancës ndaj kërcënimit të forcës që mund të vinte nga Perëndimi si mjet frenimi dhe presioni.
“Aleanca Perëndimore është e vetëdijshme se Serbia dhe nacionalizmi pan-serb kanë kapacitetin, burimet, fanatizmin dhe vullnetin për të demonstruar forcë dhe për të ndezur një konflikt të armatosur më të vogël apo më të madh në Ballkan, nëse gjykohet se është në interesin e tyre ose nëse mendojnë se momenti është tani ose kurrë”, thotë Shushnica, duke shtuar se Rusia, me ndihmën Serbisë dhe Republikes Srpska të radikalizuar, mund të ndezë lehtësisht një front të ri në Evropë.
“Ka mundësi që në fund të vitit 2024 dhe në fillim të vitit 2025 të krijohen kushtet për një stuhi politike perfekte, e cila do të favorizonte shpërthimin e konfliktit në Ballkan”.