Rikthimi i kujtimeve të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës për Tetyana Kosheva nisi me zhurmën e shpërthimeve dhe sirenave për sulme ajrore, përderisa luftëtarët e Hamasit hynë në Ashkelon, qytetin izraelit ku ajo u zhvendos në korrik të vitit 2022 për t’i ikur bombardimeve të vazhdueshme ruse në qytetin e saj, Harkiv, në lindje të Ukrainës.
Ashkelon, që gjendet shtatë kilometra në veri të Rripit të Gazës, ishte cak i sulmeve masive të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.
Pas sulmeve, së bashku me tre fëmijët e saj, Kosheva fillimisht u strehua në Ashkelon në korridorin e ndërtesës ku banonte. Ajo tha se lexoi në telefon se “terroristët kishin hyrë në qytet dhe po qëllonin banorët”. Familja më pas u zhvendos në një strehimore kundër bombardimeve, para se një ditë më vonë vullnetarët t’i dërgonin ata me makinë një orë drejt veriut, në një banesë të zbrazët në afërsi të Tel Avivit.
“Është sikur deja vu. Unë veçse e kam parë këtë, veçse kam përjetuar diçka të tillë”, tha Kosheva.
“Unë jam strehuar në bodrum në qytetin tim”, tha ajo duke iu referuar qytetit të Harkivit. “Edhe atëherë kam kërkuar për një makinë, ndihmën e vullnetarëve për t’u larguar. Dhe sërish është e njëjta gjë. Sërish, fëmijët. Sërish duhet që t’i mbledh të gjitha çantat për 30 minuta. E gjitha po përsëritet”.
Ukrainasit që janë larguar në Izrael pasi Rusia nisi pushtimin e shtetit të tyre në shkurt të vitit 2022, tani po tentojnë të përshtaten në një luftë tjetër. Disa janë larguar nga shteti, duke u zhvendosur dy herë brenda 20 muajsh, ndërsa të tjerët nuk janë larguar nga Izraeli.
Në qytetin verior izraelit, Haifa u zhvendos Kateryna Senchenko me origjinë nga Kievi, pasi u largua nga Ukraina për shkak të luftës. Ajo më 7 tetor u fsheh në një strehimore.
“Gjithçka të kujton Ukrainën kur nisi lufta në shkallë të gjerë”, tha ajo, duke përmendur programet e pandërprera televizive që citojnë ekspertët, zëdhënësit e Qeverisë dhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes.
“Sa mund të durojmë? Çfarë nuk është në rregull me këtë botë? Pse brenda dy vjetëve të jetës sime unë po përjetoj nisjen e një lufte për herë të dytë?”, pyeti ajo.
Tetëmbëdhjetë shtetas ukrainas në Izrael u vranë gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor dhe një vazhdon të jetë i zhdukur, sipas Ambasadës ukrainase.
Është e paqartë se sa refugjatë të luftës në Ukrainë gjenden në Izrael.
Afër 15.000 shtetas ukrainas janë regjistruar në Ambasadën ukrainase, por ambasadori ukrainas, Yevhen Korniychuk, tha se kjo shifër “nuk nënkupton asgjë”, pasi reflekton vetëm numrin e personave që kanë zgjedhur të regjistrohen në Ambasadë.
Po ashtu, aty mund të përfshihen edhe ukrainasit që kanë shkuar në Izrael dhe shkuarja e tyre nuk lidhet me agresionin rus kundër Ukrainës.
“Në përgjithësi, numri i qytetarëve tanë [në Izrael] është një çmenduri”, tha Korniychuk. Ai vlerësoi se “afër gjysmë milion” nga komuniteti rusisht-folës në Izrael janë nga Ukraina.
Ambasada nuk ka shumë fonde dhe është e kufizuar në atë që mund të bëjë për të asistuar me evakuime, tha Korniychuk, duke shtuar se ky institucion nuk do të organizojë fluturime për në Ukrainë për shtetasit ukrainas.
“Ne nuk kemi asnjë vend në Ukrainë që të evakuojmë njerëzit”, tha ai. “Ne nuk do të transportojnë njerëzit nga një luftë në një luftë tjetër. Qëllimi ynë kryesor është që të largojmë sa më shumë njerëz në një periudhë të shkurtër kohore”.
Deri më 22 tetor, katër avionë me ukrainas u larguan nga Izraeli për në Rumani, duke transportuar në total 515 pasagjerë ukrainas, tha Ambasada ukrainase. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme rumune gjatë një përgjigjeje për Shërbimin Rumun të Radios Evropa e Lirë mohoi një pretendim të postuar në rrjetet sociale se Qeveria rumune ka paguar për këto fluturime.
Ambasada ukrainase tha se ka negociuar për çmime më të lira për ukrainasit që janë evakuuar përmes fluturimeve komerciale. Çmimi i këtyre fluturimeve sillet nga 415 deri në 450 euro për person, dhe sipas Ambasadës ukrainase ky “është çmimi më i lirë në treg” për një biletë avioni.
Korniychuk tha se ai ka gjetur sponsor në Izrael që mund të zgjidhin “një pjesë të madhe të problemeve” të Ambasadës sa i përket evakuimeve, duke iu referuar “opsioneve financiare” për personat që nuk kanë mundësi të blejnë vetë biletë avioni për t’u larguar nga Izraeli./REL